LDK pas takimit Mustafa-Ahmeti: Ka pajtim se vendit i duhen zgjedhjet e parakohshme

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka lëshuar komunikatë për media lidhur me takimin e sotëm ndërmjet kryetarit të kësaj partie Isa Mustafa dhe atij të PSD-së, Shpend Ahmeti.

Sipas LDK-së, nga ky takim është konkluduar se ekziston pajtimi se nevojitet shkuarja në zgjedhjet të parakohshme parlamentare.

“Sot kryetari Mustafa priti në takim kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmetin për të diskutuar për organizimin e opozitës për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së koalicionit PAN. Ekziston pajtimi se vendit i nevojiten zgjedhje të parakohshme, për çfarë do të punohet për të siguruar mbështetjen e nevojshme të deputetëve të opozitës, por edhe të atyre të pozitës”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

LDK-ja shton se grupet parlamentare do të bashkërendisin veprimet për rrëzimin e Qeverisë.

Për takimin në fjalë, është deklaruar edhe kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti, duke thënë se se PSD vazhdon të shprehë gatishmërinë për një partneritet opozitar për nisma të përbashkëta.