LDK: Gjendja e shëndetësisë dhe siguria në punë janë alarmante në Kosovë

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në një konferencë për media ka adresuar një varg shqetësime lidhur me sektorin e shëndetësisë dhe sigurinë e punëtoreve në punë.

Deputeti i LDK-së Naser Rugova ka thënë se gjendja e shëndetësisë në Kosovë është alarmante dhe gjendet më keq se në vitet e para të pasluftës. Sipas tij edhe moszbatimi i ligjit të punës dhe ligjit për siguri ka bërë që të humbin shumë jetë në vendin e punës.

“Ne jemi këtu që të ngrisim disa shqetësime që po ndodhin këto ditë. Kjo qeveri dhe këta partner të koalicionit qeverisës merren me njëri tjetrin dhe nuk e ushtrojnë funksionin e vet ligjor dhe kushtetues dhe detyrat që i kanë si mekanizma ekzekutiv institucional. Kjo qeveri nuk e ka prioritet sektorin e shëndetësisë në Kosovë, gjendja në këtë sektor vazhdon të jetë alarmante”, tha Rugova.

“Është nevoje imediate për reformë legjislative për ligjin për shëndetësi, është nevojë imediate që të vije në Kuvendin e Republikës së Kosovës Ligji për transplantin e qelizave, indeve dhe organeve sepse jemi dëshmitar që pacientët kosovar detyrohen që të shkojnë në shtete të regjionit e më larg dhe po harxhohen dhjetëra miliona euro për këto arsye”, tha Rugova.

Sipas tij ka mungesë të barnave dhe jemi në gjendje më të rëndë se në vitet e pasluftës.

“Kohëve të fundit kemi vërejtur edhe presionet politike mbi personelin shëndetësor. Po vazhdojnë edhe hapa të tjerë me emërime politike me njerëz jo profesional që po vazhdojnë të degradojnë sistemin shëndetësor të Kosovës edhe ashtu të brishtë në këto dy dekada të fundit”, tha Rugova.

Sa i përket sigurisë në punë, Rugova tha se moszbatimi i ligjit të punës dhe ligjit për siguri ka bërë që të humbin shumë jetë në vendin e punës.

“Mosrespektimi i ligjit të punës, mosrespektimi i ligjit për siguri në punë ka bërë vetëm që vetëm në muajin e fundit dy të rijnë ta humbin jetën vetëm në sektorin e ndërtimtarisë, kemi 10 humbje të jetës në këtë vit, 18 në sektorin privat, në sektorin e ndërtimtarisë i kemi 7 rënie nga lartësia kush po merret me humbjen e jetës së punëtorit në punë”, përfundoi Rugova.

Edhe deputeti Haxhi Avdyli tha se ministria e shëndetësisë po merret me ndryshime kozmetike vetëm sa për tu dukur në opinion.

“Ne si deputet jemi të privuar që të gjitha këto shqetësime ti paraqesim në kuvend”, tha ai.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për një qeveri që do ti ketë prioritet këto halle të qytetareve.

“Reforma në shëndetësi ka dështuar dje më shumë po merremi me fasada dhe ndryshime të vogla kozmetike vetëm sa të dukemi në opinion”, vlerëson Avdyli.

 

12 Tetor 2018 - 12:00

Amire Qamili 12/10/2018 - 12:00
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend