Gëzim Kastrati

Zyrtari i MPB-së kërkon pagesat e punës jashtë orarit gjatë kohës së izolimit total

Gëzim Kastrati është inxhinier përgjegjës në Divizionin e Menaxhimit të Emergjencave në Departamentin e Standardit dhe Politikave të Inxhenierikut dhe Objekteve Qeveritare, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

 

 

Në kohën e izolimit total gjatë vitit të kaluar, Kastrati ka qenë menaxher i Objekteve Qeveritare të përcaktuara për karantinë.

Gjatë gjithë asaj kohe Kastrati pretendon se ka punuar në rrezik të lartë për infektim me COVID-19 dhe pothuajse çdo ditë ka punuar edhe jashtë orarit dhe kjo punë e tij gjatës periudhës së karantinës, pretendon që nuk i është paguar.

Që nga viti i kaluar diku nga muaji mars-prill, me një vendim  të zëvendësministrit të atëhershëm më kanë caktuar si zyrtar për Menaxhimin e Objekteve Qeveritare të dedikuara për karantinë, në nivel teknik të mirëmatjes dhe të infrastrukturës, me datë 27 mars. Përveç kohës dhe orarit që kemi punuar me orar të reduktuar, për shkak të situatës me pandeminë COVID. Mua më është dasht me punu çdo ditë”.

Qendra operative ka operuar 24 orë. Neve kemi qenë prej 08:00 deri në 20:00 aty, që bojnë 12 orë. Përveç asaj edhe punët  në teren. Kështu që çdo ditë, çdo javë, festat zyrtare të ndryshme, neve kemi qenë gjithë kohën në teren”.

Kastrati thotë se kërkesën e tij për kompensim e ka bërë vetëm për punën jashtë orarit, ndërsa për ekspozimin ndaj rrezikut të lartë për infektim me COVID-19, jo. Sipas tij, kërkesa  përfshin periudhën nga 30 marsi deri më 30 maj 2020.

Kastrati gjithashtu pretendon se edhe pse ka marrë aprovimin e drejtorit të tij për tu kompensuar, por sipas tij, zyrtarët përgjegjës të ministrisë nuk e pranojnë as në takim.

Por as në takim nuk më pranojnë. Nuk e di, nuk kam kurrfarë përgjigje. Vetëm një përgjigje e kam nga ushtruesja e detyrës së sekretarit në atë kohë, Drita Hasani, e cila ma kthen një përgjigje dhe më thotë që nuk kemi buxhet, momentin që bëhet alokimi i buxhetit në ministri, do të bëhet pagesa”.

Tutje Kastrati thotë se brenda ministrisë ka pasur edhe selektime, pasi sipas tij, ka nga ata edhe që janë paguar.

Sipas disa kolegëve ka edhe të tjerë që nuk janë pagu. Mirëpo ka edhe të tjerë që janë pagu, brenda ministrisë në të njëjtin vend. Prandaj kjo është e padrejtë, disa kanë bo ankesa në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, janë në procedurë. Mirëpo une e gjeta rrugën sot që t’i shprehi pakënaqësitë e mia përmes mediave që të bëjnë presion në institucionin ku unë punoj”.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje prej Ministrisë së Punëve të Brendshme, në lidhje me pretendimet e Kastratit, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Ministra nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërsa Kastrati thotë se nuk do të ndalet me kaq, për të kërkuar të drejtën e tij për pagesë.

Unë nuk do të ndalem këtu, ndoshta më duhet të dorëzoj kërkesën tek Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, edhe unë këto të drejta të mia, këtë kohë, këtë mund, që e kam punuar atëherë, kjo duhet të kompensohet, duhet të paguhet, nuk ka ‘pardon’.