Foto: Visar Geci, Facebook

Analiza e dy arkitektëve: Çatia e Komunës së Prishtinës, e ndërtuar jashtë standardeve

Çatia e objektit të ri të Komunës së Prishtinës, që u rrëzua dy ditë më parë, është punuar jashtë standardeve profesionale, sipas analizës së dy arkitektëve dhe një inxhinieri.

Rënia e çatisë i shkaktoi lëndime të rënda një 23-vjeçare, e cila po trajtohet në Klinikën Intensive, në gjendje relativisht stabile.

Arkitektët, Visar Geci dhe Gëzim Kastrati me ndihmën e inxhinierit Arbër Muçaj, thonë se gjatë këtyre dy ditëve kanë analizuar punën e kryer në këtë çati.

Geci përmes një postimi në Facebook ka treguar në detaje për “gabimet e bëra”, që sipas tij janë pasojë e “papërgjegjësisë së qëllimshme”.

“Edhe me ju pas’ urdhnu me tytë pushke n’ball’ me ba kët’ vepër t’flliqt u dasht mos me ba sepse e keni dit’ SIGURT që dikon ka me marr n’qafë!” – ka shkruar mes tjerash ai.

Analizën e plotë mund ta lexoni më poshtë:

Komuna e Prishtinës tha se shkaktarë të rënies së çatisë janë erërat e forta.

Por, Instituti Hidrometeorolgjik i Kosovës (IHMK) ka deklaruar se shpejtësia e erës e regjistruar në atë kohë, sipas parametrave të tyre, ka qenë 9.8 m/s (metër/sekond) që do të thotë se ka qenë erë mesatarisht e fortë.

Ndërsa, dëmet që mund të shkaktohen si pasojë e kësaj shpejtësie, sipas IHMK, janë se drunjtë e vegjël me gjethe fillojnë të tunden, lëvizin flamuj e të ngjashme.

Objekti i ri i Komunës së Prishtinës ishte përuruar më 2009 dhe ndërtimi i tij kishte kushtuar mbi 4 milionë euro.

Në janar 2023 Komuna kishte hapur tender për rikonstruksion të kulmit të ndërtesës pasi në kohë reshjesh kishte rrjedhje të ujit brenda objektit.

Komuna fillimisht kishte paraparë të ndajë 700 mijë euro për këtë ndërhyrje.

Kontrata më pas ishte nënshkruar në muajin gusht me operatorin “NBT-ING” me bazë në Suharekë për rreth 400 mijë euro.

Pas ngjarjes së fundit, Komuna e Prishtinës ka deklaruar se kjo kompani nuk ka kryer punë në pjesën e kulmit që ra.

“Nga kontrata e realizuar e nënshkruar ne vitin 2023, janë kryer punët në rregullimin e komplet terasës si dhe janë kryer disa intervenime në pjesën e kulmit të pjerrët që i përket mbulimit të hapësirave të sallës. Në pjesën ku është bërë dëmtimi nuk është intervenuar fare nga kontrata e vitit 2023”- thuhet në deklarimin e Komunës së Prishtinës.

Komuna më tej theksoi se kontrata për renovime në këtë objekt përfshinë vetëm 9.5% të punëve në kulm.

“Pjesa tjetër e pozicioneve kanë të bëjnë me renovimin e zyrave, klimatizimit, punë të dyshemesë, punë të plafonëve, rregullimi i nyjeve sanitare, rregullimi i rrjetit elektrik”.

Prokuroria e Prishtinës në koordinim me Policinë e Kosovës kanë njoftuar se kanë filluar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore lidhur me rastin e rënies së çatisë së objektit të ri të Komunës së Prishtinës.