Foto: Twitter

Zyrtari i Këshillit të Evropës "e qet në rrenë" zëvendëskryeministrin Bislimi

Bjorn Berge, Zëvendëssekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, e ka demantuar zëvendëskryeministrin e Kosovës për Dialog, Besnik Bislimin në lidhje me diskutimet mes tyre për anëtarësimin e Kosovës në KE.

Bislimi kishte deklaruar se Berge e ka mirëpritur iniciativën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Kënaqësi të takoj Bjorn Berge gjatë qëndrimit tim në Strasburg, i cili mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Diskutimi ynë u fokusua edhe në theksimin e progresit të vlerësuar, reformave dhe harmonizimit me vlerat evropiane dhe politikat e jashtme”, ka shkruar Bislimi.

Mirëpo, Berge në Twitter ka shpërndarë deklarimin e Bislimit duke thënë se përshkrimi nuk është i saktë.

“Ky fatkeqësisht nuk është një përshkrim i saktë i asaj që deklarova në takim në lidhje me një aplikim të mundshëm në Këshillin e Evropës”, ka shkruar ai në Twitter.

Në lidhje me deklaratën e Berge, KALLXO.com ka kontaktuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, shefen e kabinetit të zëvendëskryeministrit Bislimi, Kaltrina Zekën, zëdhënësin e qeverisë Përparim Kryeziun si dhe zëdhënësen Rozafa Kelmendi, mirëpo të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm në telefon dhe nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.

KALLXO.com poashtu ka kontaktuar edhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge për të marrë një deklaratë se çfarë në të vërtetë është thënë në këtë takim sipas tij, mirëpo ende nuk kemi marrë përgjigje.

Këshilli i Evropës është një prej organizatave më të rëndësishme në Evropë dhe Kosova është i vetmi vend nga rajoni që nuk është pjesë e tij.

Këshilli i Evropës u formua pas Luftës së Dytë Botërore për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në të gjithë kontinentin dhe është e ndarë nga Bashkimi Evropian.

Ndërsa dje, nënkryetarja e Partisë Demokratikë të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kërkuar nga Qeveria që të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.