Zyra e OKB-së: 31 anëtarë të personelit humanitar të vrarë në Gaza

Numri i personelit humanitar të vrarë gjatë detyrës në Gaza është rritur në 31, pas një sulmi ajror izraelit që la të vrarë edhe shtatë anëtarë të mbrojtjes civile të hënën, sipas një deklarate nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), raporton CNN.

Deklarata e lartcekur shtoi se Gaza është nën “frenim të plotë të energjisë elektrike” për të gjashtën ditë, duke paralajmëruar për pasojat në sistemin e kujdesit shëndetësor në këtë rrip toke.

“Spitalet janë në prag të kolapsit pasi rezervat e tyre të karburantit të përdorura për të operuar gjeneratorët rezervë janë varfëruar pothuajse plotësisht, duke rrezikuar jetën e mijëra pacientëve”, thotë deklarata nga OCHA.

Më herët, UNRWA, agjencia e OKB-së që i mbështet refugjatët palestinezë, tha se të paktën 1 milionë njerëz janë detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre vetëm brenda një jave dhe të paktën 400,000 njerëz të zhvendosur po strehohen në shkollat dhe ndërtesat e OKB-së në Gaza.

Ndërkohë, grupi WASH i udhëhequr nga UNICEF paralajmëroi se popullata e Gazës është në “rrezik të menjëhershëm të vdekjes ose shpërthimit të sëmundjeve infektive” nëse uji dhe karburanti nuk lejohen të hyjnë në këtë enklavë.

Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu i tha CNN të dielën se Izraeli ka rikthyer ujin në jug të rripit, por drejtori i autoritetit të ujit të Gazës e kundërshtoi një gjë të tillë.

Zyra e qeverisë për media në Gaza paralajmëroi gjithashtu se Gaza është “në prag të një zie të vërtetë buke pasi mallrat në dyqane po mbarojnë dhe asnjë ndihmë nuk po vjen për individët e zhvendosur”.

Programi Botëror i Ushqimit (WFP) ka thënë përmes një deklarate se ka siguruar  kbukë për 107,192 persona të zhvendosur brenda në jug të Gazës të dielën, por e ka vënë theksin për nevojën për ndihma humanitare për të hyrë në rripin e Gazas.

“Ne kemi nevojë urgjente për qasje nëpër të gjithë kufijtë për t’i rimbushur stoqet dhe për të ofruar ndihmë”, thuhet në deklaratën e WFP./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala