Zymi: Shëtitorja afër Ujëvarave të Mirushës është e jashtëligjshme

Gjatë debatit për Komunën e Klinës, aktivistja mjedisore Flutura Zymi ka folur për ndërtimin e shëtitores afër Ujëvarës Mirusha, e cila sipas saj është e jashtëligjshme.

Sipas saj Ujëvara Mirusha është duke u shkatërruar.

“Problemi është që parku dhe Ujëvarat e Mirushës është zonë në mbrojtje, ti nuk guxon aty asnjë degë me e pre e as me e shkatrru nëse i thyen ligjet, këtu prej 2 metra, e në projekt është gjashtë metra i kanë kërku me e shkatrru florën dhe mjedisin, e këta i kanë hy 12 metra gjatësi dhe e kanë shkatërru mjedisin, florën dhe faunën në monument e shpallur ndërkombëtarisht”, ka thënë Zymi.

Sipas saj në një vend ku ka ligj shkatërrimi i Ujëvarës së Mirushës është e barabartë me krim.

E në lidhje me këtë ka folur edhe kryetari i komunës Zenun Elezaj.

Ai tha se kjo është në kompetencën e Ministrisë së Ambientit dhe jo të Komunës.

Sipas tij projekti udhëhiqet nga Ministria e jo nga komuna pasi buxheti, menaxhimi dhe të gjitha ndërlidhen me Ministrinë e Ambientit.

Sonte në debatin ‘Jeta në Komunë’ përballë gazetares Jeta Xharra është i ftuar kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj.

Të pranishëm në këtë debat janë edhe ish kandidati për kryetar Komune Sokol Bashota, si dhe asamblistët Tush Dedaj, Mendehie Duraku dhe Esat Rraci.