Zenun Elezaj, Kryetar i komunës së Klinës - Foto Kallxo.com

Gjykata e Apelit e liron nga akuza kryetarin e Komunës së Klinës, i akuzuar për punësimin e vajzës së tij

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, në dhjetor të vitit të kaluar nga Gjykata e Pejës ishte shpallur fajtor për veprën – konflikt interesi. Elezaj ishte dënuar me 4 mijë euro gjobë.

Kundër këtij vendimi kishte paraqitur ankesë mbrojtësi i Elezajt, avokati Kujtim Kërveshi, i cili kishte kërkuar nga Apeli që të ndryshohet vendimi i shkallës së parë.

Këtë ankesë të mbrojtjes Apeli e aprovoi sot, një vit pas shpalljes së vendimit nga Gjykata e shkallës së parë.

Në vendimin e Apelit thuhet se me provat që janë administruar nga shkalla e parë gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk mund të provohet akuza e Prokurorisë, prandaj shkalla e dytë e ka ndryshuar këtë vendim.

“Gjykata e Apelit duke vlerësuar aktgjykimin e ankimuar e duke marrë për bazë provat që janë administruar në shqyrtim gjyqësor, ka vlerësuar ato dhe ka konstatuar se me provat që janë administruar nga shkalla e parë nuk provohet se i akuzuari ka kryer veprën penale” – thuhet në vendim të Apelit.

Madje vendimi thotë se shkalla e parë ka konstatuar gabimisht gjendjen faktike.

Apeli kishte vendosur edhe një herë për këtë rast, të cilin e kishte kthyer në rigjykim.

Për këtë vendim ka reaguar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Kujtim Kërveshi, i cili i quajti vendimet e Apelit “mësime shkollore”.

“Ashtu sic kemi qenë të bindur në drejtësi, Gjykata e Apelit duke ju përmbajtur nivelit profesional dhe etik, kur gjyqtar si gjyqtarët e këtij kolegji vendosin me një vendim aq bukur të arsyetuar profesionalisht, krijohet bindja se ky vend megjithatë mund të BËHET! “ – tha avokati.

Elezaj akuzohej nga Prokuroria për rastin e punësimit të vajzës së tij në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Prokuroria e Pejës pretendon se Elezaj edhe pse e kishte ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në konkursin e datës 2 shkurt 2018, ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies se punës lidhur me po të njëjtin konkurs.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar, kishte përzgjedhur vajzën e kryetarit si më të suksesshmen, duke e punësuar atë në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se kallëzimi penal kundër kryetarit Elezaj është ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Kosovë.

Në një opinion ligjor të AKK-së dhënë për Prokurorinë e Pejës, thuhet se kryetari i Komunës përjashtohet nga procedurat vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë çështje në të cilën ai apo ndonjë anëtar i familjes se tij ka interes personal apo financiar.