Zyberaj i AKR-së kërkon rinumërim të votave në të gjithë vendin

Jetlir Zyberaj, kandidat i Aleancës Kosova e Re (AKR), e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte në listë të përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se rinumërimi i plotë i votave është i nevojshëm.

Zyberaj ka thënë se ka informacione për vjedhje të organizuar të votave për çka do t’i drejtohet edhe prokurorisë.

“Rinumërimi i plotë i votave është absolutisht i nevojshëm për të siguruar procesin e degraduar zgjedhor. Informacionet e sakta thonë që ka ekzistuar plan i organizuar i vjedhjes së votave të presidentit Pacolli dhe votat e mija si kandidat”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, procesi i votimit në zgjedhjet e 14 shkurtit është degraduar dhe organet kompetente duhet të hetojnë këto pretendime.

“Rinumërimi i plotë do ti nxirrte në shesh kriminelët dhe urdhërdhënësit e tyre. Dënimi maksimal me burg ndaj këtyre kriminelëve do ta siguronte mbarëvajtjen e procesit në të ardhmen. Ky proces është i degraduar tërësisht dhe organet kompetente duhet të reagojnë”, ka theksuar ai.

Ai ka postuar në Facebook fotografi për të cilat pretendon se janë dëshmi të vjedhjes së votave.

 

Të enjten Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publik rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet e 14 shkurtit, LDK-ja së bashku me AKR-në janë radhitur në vendin e 3-të me 13,08% të votave.

Dje, edhe anëtari i Partisë Demokrate të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se do të kërkojë në KQZ që të rinumërohen të gjitha vendvotimet, që sipas tij kanë qenë në “dorën e mashtruesve”.

Kjo kërkesë e Elshanit vjen pas publikimit të disa audio-incizimeve ku dyshohet se një komisioner dhe një person tjetër merren vesh për t’i shtuar votat për një kandidate të një partie politike, duke i dëmtuar të tjerët në garë.

“Si përfaqësues i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, do të kërkoj menjëherë që të rinumërohen të gjitha vendvotimet të cilat kanë qenë në dorën e mashtruesve, ndërsa video-inçizimet, ky rast dhe rastet tjera të dyshimta të procedohen në prokurori”, ka shkruar ai në Facebook.

Anëtari i PDK-së në KQZ: Do të kërkojmë rinumërim të votave