Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Akuza dhe polemika për vjedhje votash mes kandidatëve për kryetar të Rahovecit

Kandidati për kryetar të Rahovecit, Visar Korenica, nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka akuzuar Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për vjedhje të votave në rundin e parë të zgjedhjeve.

Ai ka thënë se për këtë qëllim janë shfrytëzuar listat e fermerëve, të cilët kanë përfituar subvencione nga Komuna.

“Në Rahovec vota ka shkuar nga 20 deri në 100 euro. Janë tjetërsuar votat dhe është shkelur vullneti i votuesve në rundin e parë. Të gjitha shkeljet që ne i kemi evidentuar ne i kemi paraqitur në PZAP. Ekipet tona kanë paraqitur shkeljet. Po presim rezultate, nuk kemi diçka konkrete. Këta (AAK) janë profesionistë në këtë drejtim”, tha ai.

Ndaj këtyre akuzave ka reaguar kandidati për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi, nga AAK-ja.

Ai ka thënë se këto janë pasaktësi dhe se janë fyerje për qytetarët e komunës së Rahovecit.

“Ky po flet për disa keqpërdorime të votave. Ky është edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, kryetar komune e ka vështirë të bëhet, nuk jam arrogant. Qytetarët e Rahovecit dhe të Kosovës e njohin fort mirë kush është Smajl Latifi dhe s’i shkon mendja, se as mendja kurrë nuk i ka shkuar me keqpërdorë vota. Po t’i kisha unë këto që thotë ky jo PZAP-së por Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg ia kisha dorëzuar deri tash. Ky ka halucionacione, flet ‘kodër pas bregu’”, tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Rahovecit, kanë diskutuar në “Debat Përnime” për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në emision ishin kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Rahovec: Smajl Latifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Visar Korenica nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i AAK-së Smajl Latifi i ka marrë 47,18 për qind të votave, kurse Visar Korenica nga LVV, ka siguruar 24,84 për qind.