Dallaveri me votime - Pranohet marrëveshja për pranim të fajësisë, rekomandohen palët që të rinegociohet pjesën e dënimit

Në seancën e mbajtur sot, në të cilën parashihej që të vendoset lidhur me marrëveshjen e fajësisë mes të akuzuarit në çështjen e keqpërdorimit të votave, Milot Blakaj dhe Prokurorisë Speciale, ka pasur disa paqartësi për palët.

Në këtë rast Prokuroria Speciale në marrëveshjen për pranimin e fajësisë ishte pajtuar që të pandehurit për veprën penale keqpërdorim i të drejtës në votim t`i shqiptohet dënim prej 1 viti e 6 muaj, për veprën  penale vjedhje të identitetit nga diapozitivi i dytë i aktakuzës t`i shqiptohet dënim me kohëzgjatje prej 1 viti. Ndërsa si dënim unik parashihej që t`i shqiptohet dënimi më kohëzgjatje prej 1 viti e dy muaj.

Me këtë përllogaritje të dënimit nuk u pajtua gjyqtari i rastit Musa Konxheli, i cili palët i udhëzoi që të ri-negociojnë përsëri, ndërsa marrëveshja për nga përmbajtja u konsiderua e lidhur krahas dispozitave ligjore.

“Sjell aktvendim që marrëveshja të pranohet si e tillë, meqë është bërë konform dispozitave ligjore ndërsa sa i përket dënimit të rekomanduar gjykata i rekomandon ose i udhëzon palët që edhe njëherë të ri-negociojnë meqë dënimi i rekomanduar sipas kësaj marrëveshje nuk është në harmoni të plotë me nenin 76 paragrafi 2 pika 2.2 të KPRKS”- mori aktvendim gjyqtari Musa Konxheli.

Në këtë rast të akuzuar të tjerë janë ish deputeti i Kuvendit të Kosovës Shkumbin Gashi, Kastriot Blakaj, shpëtim Shala, Tahir Shala, Dardan Blakaj dhe Sylë Blakaj.

Sipas dosjes së prokurorisë nga muaji janar e deri në muajin mars të vitit 2021, me dashje dhe në bashkëkryerje të pandehurit kanë keqpërdorur të drejtën në votim duke votuar në emër të shtetasve të Kosovës që jetojnë në Austri.

E krejt këto veprime me qëllim të sigurimit të votave për të pandehurin Shkumbin Gashi, i cili ishte kandidat për deputet nga radhët e LDK-së, në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme Parlamentare të mbajtura më datën 14 shkurt të vitit 2022.

Të pandehurit fillimisht kishin siguruar letërnjoftimet e rreth 71 qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri dhe pa pëlqimin dhe dijeninë e tyre, në mënyrë të kundërligjshme i kanë keqpërdorur letërnjoftimet në procesin e votimit për votuesit nga diaspora.

Gjithnjë sipas aktakuzës të pandehurit Kastriot, Milot, Dardan, Tahir dhe Sylë u mblodhën në një zyrë që  dyshohet të ketë qenë nën menaxhimin e Kastriot Blakës në Pejë, ku fillimisht aplikuan në KQZ për tu regjistruar si votues nga Diaspora përmes email-adresave fiktive dhe pasi që pranojnë kodin nga KQZ, përmes atij kodi i shkarkojnë fletëvotimet nga sistemi online i KQZ-së e pastaj i plotësojnë duke votuar për pesë kandidatë.

E ku në mesin e këtyre pesë kandidatëve ishte edhe Shkumbin Gashi, i cili e mbante numrin votues 32.

Tutje një kopje të letërnjoftimit dhe fletëvotimit e vendosin në zarf dhe pasi që i plotësojnë 71 zarfe, të njëjtat i vendosin në një çantë e cila mbante emrin e të pandehurit Shpëtim Shala me vendbanim në Austri, e pastaj i akuzuari Kastritot Blakaj, e merr çantën me zarfe dhe më datën 02.02.2021 e dërgon tek stacioni i autobusëve në Pejë, e dorëzon çantën në një autobus të udhëtarëve që kishte destinacion Vjenën.

Me të arritur çanta në Vjenë  e merr i pandehuri Shpëtim Shala dhe zarfet nga çanta i vendos në postën e Austrisë me destinacion KQZ-në Kosovë.

E gjatë kontrollimit të ligjshëm nga ana e Prokurorisë në KQZ-së identifikohen dhe konfiskohen zarfet e lartë cekura me fletë votime të falsifikuara.

E me këto veprime të pandehurit ngarkohen me veprën penale keqpërdorim i të drejtës në votim si dhe për veprën penale vjedhje të identitetit.

Kurse vetëm Kushtrim Gjevukaj nga prokuroria akuzohet për veprën penale të kanosjes pasi që më 9 shkurt 2021 në stacionin e Autobusëve në Pejë me dashje ka kanosur të dëmtuarin A.A(Shoferi i autobusit), në atë mënyrë që në ditën e incidentit me veturë të tij të tipit Audi A6, pret të dëmtuarin e hap dritaren e veturës dhe i drejtohet me fjalët “Mu je ka më pret a, hajt se ta kallxoj unë qejfin”.

Shtyhet seanca ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021