QNR, Foto: KALLXO.com

Anëtari i PDK-së në KQZ: Do të kërkojmë rinumërim të votave

Anëtari i Partisë Demokrate të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se do të kërkojë në KQZ që të rinumërohen të gjitha vendvotimet, që sipas tij kanë qenë në “dorën e mashtruesve”.

Kjo kërkesë e Elshanit vjen pas publikimit të disa audio-incizimeve ku dyshohet se një komisioner dhe një person tjetër merren vesh për t’i shtuar votat për një kandidate të një partie politike, duke i dëmtuar të tjerët në garë.

Postimi i plotë i Arianit Elshanit:

Jam i shokuar nga video-inçizimet të cilat shpërfaqin tendencat për manipulimin rezultatet e kandidatëve dhe për të ndryshuar vullnetin e qytetarëve. Si përfaqësues i Partisë Demokraitke të Kosovës në KQZ, do të kërkoj menjëherë që të rinumërohen të gjitha vendvotimet të cilat kanë qenë në dorën e mashtruesve, ndërsa video-inçizimet, ky rast dhe rastet tjera të dyshimta të procedohen në prokurori.

Si KQZ përgjatë gjithë këtij procesi zgjedhor kemi qenë të angazhuar në integritetin e zgjedhjeve dhe ruajtjen e kredibilitetit të ndërtuar ndër vite të KQZ-së, andaj nuk do të lejojmë që askush në asnjë formë të baltosë e të cenoj këtë institucion që ka për obligim të ruaj dhe të paraqes saktë vullnetin e qytetarëve të Kosovës.