FOTO: KALLXO.com

Zv/ministri Gashani: Në periudhën janar-tetor 1901 gra dhe vajza viktima të dhunës në familje

Misioni i OSBE-së në Kosovë organizoi tryezën për qasjen në drejtësi për viktimat e dhunës në familje, si pjesë e aktiviteteve për shënimin e 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore.

Përgjatë kësaj tryeze u kërkua angazhim më i madh institucional për parandalimin e dhunës në baza gjinore dhe u apelua edhe për raportim të rasteve.

Njëkohësisht u potencua se ky fenomen ka shënuar rritje.

“Përkundër të gjitha angazhimeve institucionale dhuna në familje për fat të keq po pëson rritje të cilat vetëm në periudhën janar tetor 2022 i kemi 2333 viktima, 1901 prej të cilave janë gra dhe vajza” – tha zëvendësministri i punëve të brendshme Blerim Gashani.

Lidhur me këtë Gashani përmendi disa hapa të rinj që priten të ndërmerren. Ndër to ai përmendi se nga sektori kundër dhunës në familje do themelohet drejtoria kundër dhunës në familje. Po ashtu u përmend investimi në kapacitete teknike, rritja e numrit të zyrtareve police gra, rritja e kontakteve me qytetarët, etj.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Sallahu tha se parandalimi i rasteve të dhunës është trajtimi më i mirë për gratë.

“Forma kryesore mbi të cilën është e nevojshme që të koncentrohemi është parandalimi i rasteve të dhunës në familje” – tha Sallahu, i cili u shpreh i bindur se do të kenë efekt pozitiv ndryshimet e fundit të ndërmarra në Kodin Penal dhe të Procedurën Penale.

Me ndryshimet në Kodin Penal, dënimet plotësuese ndaj atyre që shpallen fajtorë për dhunim seksual dhe dhunë në familje do të jetë mes tjerash edhe marrja e lejes së vozitjes e të gjitha kategorive.

Gjithashtu propozimet tjera ndaj të dënuarve pritet të jenë edhe ndalimi i kandidimit në çdo pozitë publike në nivel lokal dhe qendror, ndalimi i punësimit në institucione publike në të gjitha nivelet, ndalimin e blerjes në ankande publike dhe shërbime tjera dhe ndalimi i aplikimit si investitor strategjik dhe privilegje tjera nga legjislacioni.

Gjithashtu, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport theksoi se gjatë kësaj fushate mesazhi i OSBE-së është që të gjithë të bashkohen për t’i dhënë fund fund dhunës.

“Mesazhi i OSBE-së gjatë kësaj fushate është t’i japim fund tani, të bashkohemi për të luftuar dhunën kundër grave dhe vajzave dhe sot fokusi jonë është në mënyrë specifike për çasjen në drejtësi për viktimat  e dhunës në familje” – tha ambasadori Davenport.

Fushata globale  “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” ka filluar me 25 nëntor.

Në po këtë ditë kur filloi kjo fushatë një grua në Prishtinë dyshohet që u vra me sëpatë nga burri i saj.