Foto: KALLXO.com

16 ditët kundër dhunës në baza gjinore, fillon fushata edhe në Kosovë

Në ditën kur një grua dyshohet që u vra me sëpatë nga burri i saj në Prishtinë, filloi edhe fushata globale  “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

E organizuar nga Ministria e Drejtësisë, e me pjesëmarrje të liderëve shtetërorë dhe jo vetëm, ministrja Albulena Haxhiu bëri hapjen e ceremonisë për këtë fushatë.

Në mesin e shumë rasteve të tjera, rasti i parë që u përmend ishte ai i 63-vjeçares, e cila dyshohet se u vra në mëngjesin e hershëm të ditës së sotme.

“Nuk mund të vazhdoj fjalën time pa shprehur ngushëllime ndaj familjes së gruas që u vra sot në Prishtinë. Edhe një grua e vrarë nga bashkëshorti i saj” – u shpreh Haxhiu përderisa pranë saj u shfaqën mesazhet sensibilizuese për raportim të dhunës.

Që dhuna është vepër penale u kujtua prapë sot nga Haxhiu, e cila tha se raste të tilla nuk guxojnë asesi të tolerohen e as të lejohen që të përsëriten.

Haxhiu në fjalën e saj foli edhe për rolin esencial të institucioneve të drejtësisë, për të cilat tregoi se nuk janë në mesin e tyre.

“Institucionet e drejtësisë, ndonëse fatkeqësisht nuk i kemi këtu, kanë rol esencial në jetën qytetare dhe duhet të trajtojnë secilin rast” – thotë Haxhiu teksa tregoi se beteja e tyre nuk përfundon me këtë fushatë.

“Beteja vazhdon gjatë tërë vitit, është beteja jonë që fëmijët tanë të mos bëhen dhunues” – tha e para e Ministrisë së Drejtësisë.

Pas saj, një fjalë rastin pati edhe e para e shtetit, Vjosa Osmani.

Njëjtë si Haxhiu, edhe Osmani fjalën e saj e filloi me vrasjen e mësimdhënëses së gjeografisë në shkollën Dardania.

“Sot të gjithë pranuam edhe një lajm të kobshëm, një burrë vrau një grua në mënyrën më makabre. Në këto qaste ne ndajmë dhimbjen për bashkëqytetaren tonë” – u shpreh presidentja Osmani.

Ajo tha se sa herë që flitet për luftën kundër krimit në baza gjinore, nuk duhet të bëhet kompromis.

“Dhuna në baza gjinore është plaga e përbashkët e të dyja gjinive dhe luftimi i kësaj dhune duhet të bëhet nga burrat dhe gratë e Kosovës” – përfundoi ajo.