Qeveria miraton ndryshimin e Kodit të procedurës penale

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të procedurës penale.

Me ndryshimet në Kodin Penal, dënimet plotësuese ndaj atyre që shpallen fajtorë për dhunim seksual dhe dhunë në familje do të jetë mes tjerash edhe marrja e lejes së vozitjes e të gjitha kategorive.

Gjithashtu propozimet tjera ndaj të dënuarve pritet të jenë edhe ndalimi i kandidimit në çdo pozitë publike në nivel lokal dhe qendror, ndalimi i punësimit në institucione publike në të gjitha nivelet, ndalimin e blerjes në ankande publike dhe shërbime tjera dhe ndalimi i aplikimit si investitor strategjik dhe privilegje tjera nga legjislacioni.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se krahas ndryshimeve në Kodin Penal, janë bërë ndryshime edhe në Kodin e procedurës penale. Ajo tha se me këto ndryshime parashihen ndryshime procedurale për trajtimin e veprave penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje.

“Krahas ndryshimeve në Kodin Penal të Kosovës, ne kemi bërë ndryshime edhe në Kodin e procedurës penale. Me këto ndryshime parashihen ndryshime procedurale për trajtimin e veprave penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje të cilat kanë marrë përmasa shqetësuese. Këtu parashihet përshpejtimi i procedurave për të siguruar hetim dhe gjykim efikas” – tha Haxhiu.

Haxhiu theksoi se përmes ndryshimeve, për veprat penale të dhunimit e dhunës në familje, hetimi duhet të përfundojë një vit nga dita e fillimit të hetimit.

“Përmes ndryshimeve të bëra në projektligj për veprat penale të dhunimit, dhunës në familje të përcaktuara në kodin penal, hetimi duhet të përfundoj brenda afatit, një vit nga dita e fillimit të hetimit”- ka njoftuar Haxhiu.

“Ndryshim tjetër i rëndësishëm konsiderohet edhe koha e përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, ku për veprat penale të ngacmimit seksual, dhunimit e po ashtu dhunës në familje, shqyrtimi gjyqësor mbahet para gjyqtarit të vetëm gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të përfundohet brenda 60 ditëve kurse kur në rastet kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para trupit gjykues, shqyrtimi duhet të përfundohet brenda 90 ditësh”- shtoi ajo.

Më tej, ministrja ju ka bërë thirrje gjyqtarëve, prokurorëve e policëve që të kryejnë detyrën e tyre në raport me këto vepra.