Zotimi i Sokol Halilit: Do ta bëj Skenderajn të dalluar nga komunat tjera

Biznesmeni Sokol Halili po synon që përmes Inicativës Qytetare për Skenderaj të garojë në zgjedhjet lokale që priten të mbahen më  17 tetor.

Halili në një intervistë për KALLXO.com tregoi se një nga arsyet kryesore që e ka shtyrë të kandidojë është çkapja e institucioneve komunale të Skenderajt.

Mirëpo ai nuk lëshohet në premtime siç është praktika e kandidatëve për kryetar komune, sepse, sipas tij, të gjithë para tij çka kanë premtuar vetëm kanë gënjyer qytetarët.

“Nuk du me i premtu qytetarëve të Skenderajt. Se krejt çka kanë premtu, kanë rrejtë. Unë i garantoj qytetarët e Skenderajt se brenda dy viteve të udhëheqjes si kryetar i Komunës do ta bëj Skenderajn të dalluar prej komunave tjera. Sepse edhe po të vidhet 20 për qind nuk merret vesh, po këta (qeverisja aktuale dhe e kaluar) e kanë vjedh 90 për qind. 10 për qind i kanë lënë për shërëbtorët e vetë e investimet kryesore janë ikë tjetërkah”, u shpreh Halili.

Juristi i diplomuar, i cili la Zvicrën për të vazhduar bizneset në Kosovë, u ka bërë thirrje qytetarëve të Skenderajt ta përkrahin sepse, siç thotë ai, Skenderaj ka nevojë për ndryshim dhe çlirim nga Bekim Jashari dhe Sami Lushtaku.