Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com
Zgjatet afati për shqyrtimin e ankesave për skemat e bursave të MASHTI
Afati për shqyrtimin e ankesave lidhur me skemat e bursave të shpallura nga Ministria e Arsimit është zgjatur edhe për 30 ditë nga data e përfundimit të afatit paraprak.
Kështu bëri të ditur Ministria e Arsimit më 30.12.2025.
MASHTI tutje sqaroi se të gjitha ankesat të cilat nuk janë shqyrtuar ende do të trajtohen gjatë muajit janar 2026.
“Komisioni për Ankesa të Nëpunësve Publik dhe Ankesave të Tjera në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton të studentët që kanë parashtruar ankesa lidhur me skemat e bursave se afati për shqyrtimin e tyre është zgjatur edhe për 30 (tridhjetë) ditë, duke filluar nga data e përfundimit të afatit paraprak. Ankesat të cilat ende nuk janë shqyrtuar do të trajtohen gjatë muajit janar 2026.” – u tha në njoftimin e Ministrisë.
Konkursi për pesë skemat e bursave ka qenë i hapur nga data 03.10.2025 deri më 18.10.2025 në ora 16:00.
Ndërsa vendimi për ndarjen e bursave elitare për studentët e universiteteve publike në programet baçelor, master dhe mbështetjen financiare për studentët me aftësi të kufizuara për vitin 2025-2026 u shpall më 18.11.2025
Pas shpalljes, afati për parashtrimin e ankesave ka qenë 7 ditë nga data e publikimit të vendimit.
Ndërsa, më 22.12.2025, pas raportimeve të KALLXO.com, 18 studentë të Fakultetit të Mjekësisë nga 22 të cilët patën mbetur jashtë listës së përfituesve ndonëse e kishin merituar, u futën në listën e përfituesve të MASHTI.