Zëdhënësi i LVV-së reagon për votat e pavlefshme të diasporës

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendoje, Përparim Kryeziu ka deklaruar se numri i madh i raportuar i votave të pavlefshme nga mërgata është dëshmia përfundimtare që sipas tij, procesi i votimit nga jashtë duhet të ndryshohet menjëherë.

Sipas tij, procesi i votimit duhet gjithmonë të jetë i lehtë dhe inkurajues.

“E drejta për të votuar është e drejtë dhe njësi themeltare e demokracisë, për çka shteti demokratik dhe institucionet e tij kanë përgjegjësi që të gjejnë mënyrat më të përshtatshme për të garantuar ushtrimin e saj”, ka shkruar ai në Facebook.

Kryeziu ka theksuar se problemi qëndron tek institucionet.

“Nëse nga rreth 200 mijë të regjistruar për votim nga jashtë dhe qindra euro pagesa për shërbim postar, një numër shumëfish më i vogël i tyre mbërrijnë në Kosovë me kohë, e shumëfish më i vogël numërohen si vota të vlefshme atëherë këtu problemi është sistemor e institucional. Prandaj edhe ndërhyrja duhet të jetë e këtillë”, thuhet tutje në publikimin e tij.

Zëdhënësi i LVV-së, ka paralajmëruar se me këtë parti në pushtet do të ndryshojë ligjin për mërgatën.

“Me t’u formuar institucionet, ndër hapat e parë që Lëvizja VETËVENDOSJE! do të ndërmarrë në Kuvend është ndryshimi i ligjit ashtu që mërgata të ketë të drejtë të votojë edhe në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës. Bashkatdhetarët janë qytetarë të Republikës. Ata janë pjesë e pandashme e zhvillimit të vendit dhe vendimmarrjes në vend”, ka shkruar ai.

KALLXO.com dje ka raportuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, deri të dielën janë aprovuar më shumë se 16 mijë zarfe me fletëvotime me postë, ndërsa janë refuzuar 6 mijë e 800 të tjera.

Zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë e kanë nxjerrë fituese LVV-në.