Këto janë të dhënat e fundit nga QNR-ja për votat nga diaspora

Disa nga aktivitetet që po zhvillohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pothuajse janë në fund, siç është skanimi i listës përfundimtare të votuesve si dhe futja e të dhënave nga formularët e rezultateve të kandidatëve dhe subjekteve politike.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ai ka dhënë detaje edhe për votat nga diaspora, duke treguar se janë aprovuar më shumë se 16 mijë zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 6 mijë e 800 të tjera.

“Po ashtu, shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre, të cilat i kemi pranuar gjatë periudhës së votimit përmes postës”, është shprehur ai.

Sipas Elezit, ky proces verifikimi do t’u ndihmojë që të japin përgjigje se sa është numri i saktë i fletëvotimeve nga jashtë vendit.

“Deri më tani janë trajtuar një pjesë e këtyre pakove dhe pas procesit të vlerësimit janë aprovuar më shumë se 16 mijë zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 6 mijë e 800 të tjera”, theksoi ai për KALLXO.com.

Zëdhënësi i KQZ-së shton se arsyet e refuzimit të zarfeve me fletëvotime nga jashtë janë nga më të ndryshme.

Sipas Elezit, pjesa më e madhe e tyre, më shumë se 5 mijë, janë refuzuar për shkak se janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit.

“Arsyet tjera se përse nuk janë aprovuar kanë të bëjnë me faktet se ato janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor); se në pakon që e kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jovalide; dhe se kanë dërguar fletëvotime më shumë se dy herë”, ka thënë Elezi për KALLXO.com.

Në Kosovë, më 14 shkurt janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, nga të cilat fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje.