Xhelal Sveçla tregon numrin e të vrarëve dhe të të arrestuarve të grupi terrorist

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se ka vizituar vendin e ngjarjes aty ku u vra polici Afrim Bunjaku, në Banjskë të Zveçanit.

Sveçla tha se përgjigja e zyrtarëve policorë ka qenë e menjëhershme që sipas tij për një kohë të shkurtër e kanë vendosur territorin nën kontroll.

“Përgjigja e zyrtarëve policorë të Kosovës ishte menjëhershëm dhe ishte jashtëzakonisht profesionale. Për një kohë të shkurtër vendosën këtë territor në kontroll. Kjo u bë pas një numër të madh betejash ku kishim edhe një zyrtarë tjetër lehtë të lënduar”- tha ai.

Ministri ka treguar se tashmë janë arrestuar gjashtë të dyshuar, dy prej tyre sulmues të armatosur dhe uniformuar si dhe katër të tjerë me radiolidhje.

“Ne i kemi gjashtë të arrestuar, dy nga ta të plagosur me uniformë, të armatosur dhe katër të tjerë që ishin në mbështetje të këtij operacioni me radiolidhje si dhe së paku tre sulmues të vrarë për të cilët janë duke u bërë procedurat e verifikimit”- tha ministri.

Sveçla shtoi se Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të jashtëzakonshme armatimi të rëndë, armatim këmbësorie, eksploziv, uniforma, logjistikë, ushqime dhe pajisje për barrikada.

“Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të jashtëzakonshme armatimi të rëndë, armatim këmbësorie, eksploziv, uniforma, logjistikë, ushqime, pajisje për barrikada dhe lirisht mund të themi se ishin pajisje për disa qindra sulmues tjerë”- theksoi ministri.

“Pra përgatitjet ishin që një kohë që në mënyrë masive të sulmojnë PK-ne dhe institucionet dhe të cenojnë seriozisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Kanë dështuar falë angazhimit, falë sakrificës”- shtoi ai.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.
Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.