Walker për Masakrën e Reçakut: Sa kalojnë vite njerëzit po e marrin vesh çfarë ndodhi këtu

Ish-ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker i cili edhe ngriti zërin për masakrën në Reçak, gjatë fjalimit të tij në akademinë përkujtimore u shpreh se me kalimin e viteve njerëzit po marrin vesh se çfarë ka ndodhur në Reçak.

Sipas tij, sa herë vjen për 25 vite, numri i audiencës është në rritje.

“Unë pyetem çdoherë se çfarë do thotë Reçaku për juve. Sot kam një gjë tjetër çfarë dua të them. Shoh përreth në audiencë dhe shoh që shumica janë mbi 30 dhe e dini çfarë ka ndodhur gjatë luftës. Tash e shihni mbas 25 viteve sa ka ndërruar Kosova”- u shpreh ai.

Sipas tij, Kosova është demokracia më e suksesshme jo vetëm në Evropë, por edhe më tej.

“Për mua Reçaku reprezanton një lëvizje. Çka prezanton sot për mua është ajo çfarë është bërë në Kosovë për 25 vite, falë Qeverisë që keni tani dhe keni pas në të kaluarën. Mendoj që në Kosovë demokracia është më e suksesshme jo vetëm në Evropë por edhe më tej, si në liri të shprehjes, si në atë të religjionit”- u shpreh më tej Walker.

Në 25-vjetorin e masakrës së Reçakut, fshatin e kthesës së historisë së re së Kosovës, e vizituan krerët më të lartë shtetërorë.

Sot 25 vite më parë, Reçaku u zgjua i rrethuar nga forcat policore dhe ushtarake serbe të cilër vranë 45 civilë shqiptarë.

Masakra e 15 janarit 1999, ndër më të rëndat të mbajtura mend e të dokumentuara, ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës.

Masakra e Reçakut ka qenë shkas për të filluar bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë dhe Serbi.

Walker: Reçaku ka sakrifikuar shumë për demokracinë që Kosova gëzon sot