Walker: Reçaku ka sakrifikuar shumë për demokracinë që Kosova gëzon sot

Ish-ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka bërë homazhe në nderim të viktimave të Masakrës së Reçakut në përvjetorin e 25-të të kësaj masakre.

Ai ka thënë se ky fshat fatkeqësisht është dashur të sakrifikojë shumë djem.

Ndërsa ka shtuar se ajo çfarë Kosova ka sot janë institucionet dhe një demokraci plotësisht funksionale.

“Për mua është shumë emocionuese, shpresoj që është një eksperiencë emocionale për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Është një histori e mrekullueshme për të cilën populli i këtij fshati fatkeqësisht është dashur të sakrifikojë shumë djem të fshatit. Ju tani keni një Republikë të Kosovës, një president, një kryeministër, një demokraci plotësisht funksionale dhe jam shumë krenar që jam këtu me ju në këtë vend që do të thotë shumë për mua, për popullin e Reçakut dhe për të gjithë Kosovën”- është shprehur ai.

Ndërsa ka thënë ai vjen në Reçak sa herë që i jepet mundësia, duke theksuar se shkon në këtë fshat për t`i përshëndetur siç i quan ai, shokët e tij.

“Kjo nuk është vizita ime e parë në Reçak. Është e 21 -ta, 22-ta apo 23- ta. Kam ardhur për të nderuar fshatin e Reçakut, kam ardhur për t`i përshëndetur shokët e mi nga ky fshat. Me disa njihemi që 25 vite, disa fatkeqësisht kanë ndërruar jetë. Kjo është hera e parë që më është dashur të vij me një shkop. Por unë prapë dua të vij në Reçak sa herë që mundem”- ka thënë ai.

Në 25-vjetorin e masakrës së Reçakut, fshatin e kthesës së historisë së re së Kosovës, e vizituan krerët më të lartë shtetërorë.

Presidentja Vjosa Osmani nga vendi ku mbetën të masakruar 45 civilë shqiptarë tha se nga aty po thirrin për drejtësi.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se masakra e Reçakut bëri që bota të marr vesh se çfarë po ndodhte në Kosovë.

“Jemi mbledhur këtu në Reçak. Kjo masakër shënoi vijën e kuqe në arenën ndërkombëtare që bëri të kuptoj bota për atë që po bëhet në Kosovë”- deklaroi Konjufca nga Reçaku.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se William Walker pasi e dëshmoi masakrën e Reçakut është ndërkombëtari më i urryer në Serbi.

“Masakra e Reçakut bëri të domosdoshme ndërhyrjen ndërkombëtare që ta ndalë këtë gjenocid. E vërteta ka shumë rëndësi. Atëkohë William Walker erdhi në fshat dhe pa çfarë ka ndodhur. Sot e kësaj dite mbetet ndërkombëtari më i urryer në Serbi. Më 15 janar në dimër të ftohtë ka ndodhur ky krim makabër e më pas edhe lufta për kufoma për katër javë”- deklaroi Kurti.

Sot 25 vite më parë, Reçaku u zgjua i rrethuar nga forcat policore dhe ushtarake serbe të cilër vranë 45 civilë shqiptarë.

Masakra e 15 janarit 1999, ndër më të rëndat të mbajtura mend e të dokumentuara, ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës.

Masakra e Reçakut ka qenë shkas për të filluar bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë dhe Serbi.