Vullnetari amerikan që i frymëzoi të rinjtë e Ferizajt

I madh e i vogël e njohin Noah Natale Sshwab në fshatin multietnik Dubravë, që nuk i ka më shumë se katër kilometra distancë prej qendrës së Ferizajt. Nxënësit e kursit të tij e kanë thirrur “teacher”, ndërkaq komuniteti i është referuar me “mësuesi i anglishtes”.

“Ka qenë përvojë e mrekullueshme, sepse fëmijët i ndiqnin kurset e anglishtes pothuajse rregullisht që të gjithë, me ndonjë mungesë të rrallë”, ka thënë ai. “Gjatë punës jemi përqendruar te shkathtësitë e të folurit të anglishtes”, ka shtuar Schwab, vullnetari amerikan i Korpusit të Paqes në Ferizaj.

Flokëgjatin e shtathedhurin 28-vjeçar nga Florida e Shteteve të Bashkuara e njohin edhe shoferët e fshatrave përreth pasi vazhdimisht e ka bërë këmbë rrugën Ferizaj-Dubravë dhe anasjelltas.

“Më pëlqen të ec në këmbë, jo vetëm deri në Dubravë dhe anasjelltas, por edhe nëpër qytet të gjitha punët i kam kryer në këmbë”, ka treguar Schwab të enjten e 15 janarit 2026 në njërën prej kafeneve në qendër të Ferizajt. Në fundjavën e kaluar ka prerë biletën dhe ka fluturuar drejt Shteteve të Bashkuara pas pothuajse dy vjetësh pune vullnetare si pjesë e organizatës amerikane.

Mikpritja

Schwab thotë se me vete do të marrë edhe shumë kujtime të mira, të cilat do t’ua rrëfejë bashkëkombësve për përvojën në vendin më pro-amerikan në Europë.

“Shqiptarët e Kosovës, dhe komuniteti në Dubravë ku kam punuar, do të thosha se janë përgjithësisht shumë mikpritës. Amerikanët gjithnjë ndihen mirë këtu”, ka thënë Shwab për Kallxo.com para se të kthehej në tavolinën tjetër në të njëjtën kafene, ku ndodheshin zyrtaret e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (DKRS) së Ferizajt, me të cilat ka kaluar kohën më të madhe edhe në aktivitete tjera, pos atyre që i zhvillonte vetë në Qendrën Socio-Edukative të organizatës “Caritas Kosova” dhe Komunës së Ferizajt.

“Noah, për më shumë se një vit, ka qenë i pranishëm në fshatin Dubravë, ku ka ndihmuar dhe mbështetur nxënësit në përmirësimin e njohurive të tyre në gjuhën angleze”, ka thënë për Kallxo.com, Dashurije Ahmeti, udhëheqëse e sektorit të rinisë në DKRS-në e Ferizajt. Bashkëpunimin me të e ka vlerësuar si të shkëlqyer.

“Kjo na mundësoi që të planifikonim dhe të angazhoheshim pothuajse njësoj në zbatimin e politikave rinore në nivel lokal. Gjatë kësaj kohe kemi qenë të pranishëm në shumë ngjarje dhe aktivitete të organizuara jo vetëm në Ferizaj, por edhe në qytete të tjera të Kosovës”, ka shtuar ajo, duke treguar se Schwab ishte vullnetari i tretë nga zyra në Prishtinë e Korpusit të Paqes që është angazhuar në Ferizaj.

Promovomi i Kosovës

Schwab ka thënë se pos ndihmës teknike e këshillimore që ka ofruar për zyrtarët lokalë me të cilët ka ndarë zyrën, aktivitetet ia kanë mundësuar të njohë të rinj nga pjesë të ndryshme të Kosovës me disa prej të cilëve ka krijuar miqësi të ngushtë.

“Kam shumë miq në Ferizaj, Prishtinë dhe Prizren”, thekson Schwab. Ai është bërë shkas që disa miq e amerikanë ta vizitonin Kosovën, derisa Schwab po e bënte ciceronin. Tregon fotografi nëpër vende të ndryshme me bukuri malore, objekte të trashëgimisë kulturore e të kujtesës kolektive, përfshirë atë të luftës.

Megjithatë mendon se duhet të ketë shkëmbime më të mirëfillta ndërkulturore me qëllim të thellimit të bashkëpunimit që do të rezultonte me përfitime të dyanshme. “Mendoj se kam qenë më i suksesshëm se disa vullnetarë të tjerë”.

Schwab ka bashkëpunuar e ndihmuar edhe organizatat joqeveritare lokale.

Enver Kosumi, drejtor ekzekutiv i OJQ-së “Handikos Ferizaj”, ka treguar për Kallxo.com se vullnetari amerikan ka ndihmuar promovimin dhe avancimin e të drejtave të personave me aftësitë kufizuara, ku roli dhe kontributi i tij “kanë qenë të një rëndësie të veçantë”.

“Angazhimi i tij i vazhdueshëm, profesionalizmi dhe përkushtimi i treguar kanë ndikuar ndjeshëm në realizimin me sukses të aktiviteteve tona, si dhe në rritjen e ndërgjegjësimit institucional dhe shoqëror për të drejtat e këtij komuniteti”, ka thënë Kosumi. “Noah Natale Schwab ka shërbyer si një shembull i mirë i angazhimit qytetar dhe vullnetarizmit, duke dëshmuar se solidariteti dhe përkushtimi profesional kontribuojnë në ndryshime të qëndrueshme në shoqëri”, ka shtuar ai.

Ndërtimet që ia vranë syrin amerikanit

Schwab, i cili ka kryer studimet master ndaras në planifikim urban dhe marrëdhënie ndërkombëtare, ka thënë se i pëlqen zhvillimi dinamik në Ferizaj, porse syrin ia kanë vrarë ndërtimet e larta 15-katëshe ngjitur me shtëpitë dy a trikatëshe të banimit.

“Si urbanist, mendoj se do të duhej të kishte një plan dhe të mos ketë shpërputhje kaq të mëdha”, ka thënë Schwab, duke treguar se tashmë ka fituar një vend pune në planifikimin urban në Milwaukee në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai thekson se përgjithësisht duhet të rritet kujdesi i qytetarëve të Kosovës për hapësirat e përbashkëta.

Drejtori i DKRS-së, Gazmend Bytyçi, pos mirënjohjes për punën e tij me të rinjtë, ia ka dhuruar Schwabit edhe një pikturë me sheshin e Ferizajt dhe hotelin me muralin e famshëm të kamerierit.

“Kontributi i Noah Natale Schwab përbën një shembull frymëzues të vullnetarizmit, bashkëpunimit ndërkulturor dhe përkushtimit për të mirën e rinisë. Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e falënderon përzemërsisht për gjithçka që ka dhënë dhe i uron suksese të mëtejme në rrugëtimin e tij profesional dhe njerëzor”, shkruan faqja zyrtare e DKRS-së së Ferizajt në Facebook.

Ahmeti, udhëheqësja e sektorit të rinisë në DRKS-në e Ferizajt, ka thënë se Schwab është përfshirë përtej angazhimeve të përditshme institucionale që promovojnë veçanërisht kulturën dhe traditat e Kosovës.

“Ai fillimisht ka sjellë shumë nga miqtë e tij për vizitë në Ferizaj, e më pas edhe në Prizren dhe Prishtinë. Noah tashmë ka krijuar një lidhje emocionale me Kosovën dhe, në ditët e fundit të qëndrimit të tij, ka premtuar se vera do të jetë stina kur do të rikthehet sërish në Kosovë”, ka thënë Ahmeti.

Shwabit, të cilit fjalët e shqipes që i duken më të zorshmet, edhe pse e ka mësuar sa të merret vesh, shqip përgjigjet kur pyetet nëse do ta merrte shtetësinë e Kosovës: “E pse jo?!”