Vriten pesë persona në Teksas, duke përfshirë edhe një fëmijë 8 vjeç

Një person i armatosur dyshohet se ka vrarë pesë persona në një shtëpi në Teksas, duke përfshirë edhe një fëmijë 8 vjeç.

Mes viktimave të tjera janë dy gra që janë gjetur të shtrira mbi dy fëmijë të mbijetuar, raporton BBC.

Incidenti ndodhi të premten në mbrëmje në qytetin e Cleveland, rreth 70 km në veri-lindje të Hjustonit.

Zyra e sherifit lokal thotë se i dyshuari është një burrë meksikan i cili është i armatosur me një pushkë gjysmë automatike. Ai është ende në arrati.

Oficerët besojnë se burri ishte i dehur ndërsa filloi të qëllonte pranë shtëpisë. Kur banorët i kërkuan që të ndalonte, ai hapi zjarr brenda shtëpisë, thotë policia.

Gjithsej 10 persona ndodheshin në atë pronë në atë moment.

Të gjitha viktimat thuhet se janë nga Hondurasi. Nuk janë dhënë detaje në lidhje me identitetin e tyre apo ndonjë lidhje me personin e armatosur.

Fqinja Veronica Pineda tha se dëgjoi të shtënat, por se zhurma e armëve ishte një dukuri e zakonshme.

“Është normale, në këtë lagje qëllojnë gjithmonë. Ata gjithmonë thërrasin policët dhe nuk bëhet asgjë për këtë.

“Kështu që dje dëgjova të shtënat, por mendova se ishte një ditë normale. Nuk e kisha menduar kurrë se kjo po ndodhte.”

Incidenti erdhi disa ditë pasi nëntë persona u plagosën gjatë një feste të disa adoleshentëve në Teksasin perëndimor.

Dy javë më parë, katër të rinj u qëlluan për vdekje gjatë festës së ditëlindjes në Alabama.

Incidentet me armë zjarri janë shkaku kryesor i vdekjeve për fëmijët dhe adoleshentët amerikanë, sipas Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.