Shtëpia e viktimes Beqir Morina. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Vrasja në Prizren, Prokuroria del me njoftim

Prokuroria e Prizrenit ka njoftuar se i dyshuari për vrasjen e Beqir Morinës në Prizren, Aziz Gashi vazhdon të mbetet në arrati.

Sipas hetimeve të para të prokurorisë, i dyshuari Gashi pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me viktimën Beqir Morina, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij.

Si pasojë e plagëve të marra Morina ka vdekur.

Prokuroria ka njoftuar se që nga mbrëmë janë kryer disa bastisje në lokacione të ndryshme, mirëpo deri më tani i dyshuari nuk është kapur.

“Lidhur me rastin, prokuroria në bashkëpunim më policinë janë duke kryer hetime intensive. Prokuroria do të vazhdoj t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së shtetit.

Nga të shtënat e armës Beqir Morina dyshohet se është vrarë nga i dyshuari, Aziz Gashi që më pas iku nga vendi i ngjarjes.

I dyshuari vazhdon të jetë në arrati edhe sot, pas më shumë se 12 orë nga ndodhja e rastit.

Burime të KALLXO.com kanë treguar se i dyshuari Gashi, me prejardhje nga fshati Sferkë të Komunës së Klinës por që po jetonte në lagjen e njëjtë me viktimën.

Tutje siç tregojnë burime të KALLXO.com, të dhënat e para nga raportet policore flasin se viktima ishte në prani të dy familjarëve të tij kur u gjuajt drejt të njëjtit me armë automatike.

Dy familjarët kanë arritur të shpëtojnë pa lëndime ndërsa 48-vjeçari ka vdekur.

Në raportin e sotëm 24-orësh policor është thënë se deri më tani PK ka kryer disa bastisje në disa lokacione të ndryshme në kërkim të vendndodhjes së dyshuarit.

Personi që po kërkohet nga policia për këtë rast, dyshohet se kreu krimin e më pas u largua nga vendi i ngjarjes duke marrë edhe armën që përdori me vete.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi tha se ngjarja u regjistrua rreth orës 19:00 ndërsa ekipi i emergjencës ka konstatuar vdekjen e viktimës.