Arrestohet njëri nga të dyshuarit për shpërthimin në Tregun e Kafshëve në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se njëri nga të dyshuarit në lidhje me shpërthimin e një granate në Tregun e Kafshëve në Prizren është arrestuar dhe aktualisht gjendet nën masën e ndalimit, ndërsa dy të tjerë janë ende në kërkim.

“Lidhur me rastin, tre persona të dyshuar janë identifikuar, njëri prej tyre është arrestuar dhe gjendet nën masën e ndalimit, ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë në kërkim. Prokuroria dhe policia janë duke punuar intensivisht për kapjen e tyre” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Sipas informacioneve i dyshuari është ndaluar dhe gjendet në Stacionin Policor në Gjilan.

Për KALLXO.com togeri Shaqir Btyqi ka deklaruar se hetuesit do të kryejnë bastisje së bashku me policinë në Gjilan.

Ndërkaq, Prokuroria dhe policia janë duke punuar intensivisht për kapjen e të dyshuarve tjerë.

Dhjetë persona kanë mbetur të lënduar nga shpërthimi i një granate dore në Tregun e Kafshëve në Prizren mëngjesin e sotëm.

Të lënduarit janë dërguar në spitalin Rajonal në Prizren dhe disa prej tyre janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Gjendja e të plagosurve në tregun e kafshëve në Prizren, jep detaje shefi i emergjencës Hekuran Veçgishti