Shtëpia e viktimes Beqir Morina. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Vrasja në Prizren, familjarët hapin të pame

Në familjen e Beqir Morinës sot janë hapur të pamet pas ngjarjes tragjike që u shënua mbrëmë rreth orës 19 në lagjen “Arbana” në Prizren.

Morina vdiq nga plagët e marra pasi u qëllua disa herë nga i dyshuari kryesor për kryerjen e aktit Aziz Gashit.

Në shtëpinë e viktimës, familjarët po presin të pame për ngushëllime ndërsa nuk kanë pranuar të flasin se çka i parapriu kësaj ngjarje duke rekomanduar që mediat të marrin raporte zyrtare nga organet e rendit.

Në të njëjtën lagje ku po presin të pame familja Morina, ishin duke jetuar të dy personat.

Shtëpitë e tyre janë rreth 100 metra larg njëra tjetrës.

Në këtë rrugë ku janë shtëpitë janë parë edhe shiritat e policisë që kanë siguruar dyert e shtëpisë së te dyshuarit.

Ekipi i KALLXO.com po qëndron në Prizren edhe në vendin ku ndodhi ngjarja mbrëmë.

Dëshmitarë që panë ngjarjen rrëfejnë mbrapa kamerës se fillimisht i dyshuari me veturë kishte ardhur në rrugën “Çerçiz Topulli” disa metra larg lagjes ku po jetonin viktima e i dyshuari, ky i fundit ka dalë nga vetura ka filluar që të gjuaj në drejtim të viktimës i cili në pas ka rënë në tokë nga plagët e marra.

Në vendin e ngjarjes policia dhe prokuroria kanë arritur që të mbledhin disa nga provat materiale

Siç janë gëzhojat nga të shtënat me një armë automatike.

Mbrëmë prokurorja kujdestare Ervehe Gashi në një bisedë përmes telefonit tha për KALLXO.com se kishin sekuestruar shtatë gëzhoja.

Mëngjesin e sotëm një banore në rrugën “Çerçiz Topulli” i tha ekipeve të mediave se edhe vetura e familjes së saj që ishte parkuar para shtëpisë ishte shpuar nga një plumb.

Ajo nuk ishte vërejtur mbrëmjen e kaluar ndërsa sipas banores mëngjesin e sotëm rastin e kanë raportuar në polici.

Në vendngjarje edhe sot shihen shenjat e gjakut nga plagët e shkaktuara ndaj viktimës 48-vjeçar, Beqir Morinës.

I dyshuari deri më tani është ende në arrati.

Shtëpia e Aziz Gashit, i dyshuar për vrasje në Prizren. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com