
Shiriti i Policisë, FOTO-Ilustrim
Vrasja e dyfishtë në Gjakovë dyshohet se ndodhi për çështje pronësore
Dy vëllezër kanë mbetur të vrarë mbrëmë në në fshatin Madanaj të Gjakovës si pasojë e plagëve të marra nga një armë zjarri.
Personi që dyshohet se ka kryer aktin po ashtu ka mbetur i lënduar.
Hetimet e para tregojnë se e gjithë kjo ndodhi pas një problemi pronësor që ishte në mes viktimave dhe të dyshuarit.
E kjo është konfirmuar edhe Hekuran Batusha nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.
“Lidhur me këtë çështje motivi deri te vrasja e dy personave ka ardhur si rrjedhojë e problemeve pronësore” – ka thënë Batusha për KALLXO.com.
Ai ka treguar se pas vrasjes, personi i dyshuar është arrestuar dhe i njëjti gjendet në ndalim policor prej 48 orësh.
Batusha tha se aktualisht personi i dyshuar është në mbikëqyrje të policisë në Spitalin Rajonal “Isa Grezda”, kjo pasi ai është i plagosur.
Në anën tjetër, zëdhënësi tregoi se prokurori kujdestar ndaj të pandehurit, brenda afatit ligjor në gjykatën kompetente do të parashtrojë kërkesën për caktimin e paraburgimit.