Vendimi i Gjykatës për të dyshuarit e grabitjes në Suharekë

Bujar Bashës, Besart Istrefit dhe Leutrim Cakollit, të dyshuar për grabitjen e armatosur në Suharekë, Gjykata e Prizrenit ka vendosur që t’ua vazhdojë paraburgimin deri më 30.04.2024.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Gjykata e Prizrenit.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se me lënien në liri të të pandehurve ekziston rreziku i arratisjes, sepse edhe pas kohës kur dyshohet se është kryer vepra penale të njëjtit kanë qenë në arrati deri në ditën e arrestimit përmes Policisë së Kosovës”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Tutje në vendimin e saj Gjykata ka theksuar se ka marrë parasysh faktin se të pandehurit edhe në të kaluarën janë të evidentuar si kryerës të veprave penale të ngjashme.

“Gjithashtu me rastin e vazhdimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh faktin se të pandehurit edhe në të kaluarën janë të evidentuar si kryerës të veprave penale të ngjashme me aktgjykime të plotfuqishme, andaj me lënien në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale të ngjashme, andaj është vlerësimi i Gjykatës se vazhdimi i paraburgimit në këtë fazë është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm”- thuhet tutje në përgjigjen në fjalë.

Policia gjatë aksionit për t`i arrestuar të dyshuarit për këtë grabitje kishte qëlluar për vdekje njërin prej tyre më 30.11.2023.

Aksioni i gjerë i Policisë për rastin e grabitjes në Suharekë, një i dyshuar i vrarë e katër të arrestuar

Grabitja e armatosur kishte ndodhur në argjendarinë “Diakos” në qytetin e Suharekës më 22.11.2023.

Nga burime brenda policisë ishte konfirmuar se të dyshuarit kishin pasur armë të gjata, në këtë rast mbeti i plagosur një polic.

Ata kishin dalë para gjykatës një javë pasi kishte ndodhur grabitja.

Atyre, u ishte caktuar paraburgimi në po këtë seancë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të grabitjes, kurse i dyshuari Trim Baraku për mbajtje të paautorizuar të armës.

Kallxo.com kishte mësuar se i dyshuari Bujar Basha kishte qenë në vuajtje të dënimit, në Burgun e Sigurisë së Lartë deri më 14.09.2023, dy muaj para se të ndodhte grabitja.

Ai kishte qenë i dënuar me 5 vite e 2 muaj burgim për grabitje dhe ishte liruar dhe se deri në momentin e lirimit të tij, ky person ishte kategorizuar me rrezikshmëri të lartë, kishte theksuar Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Përveç të lartcekurve, të dyshuar në këtë rast janë edhe Albin Beqiri e Fatmir Tahiri, të cilët dyshohen se kanë ndihmuar këta persona në kryerjen e grabitjes.

Për këta të dyshuar Gjykata ka njoftuar se janë liruar në procedurë të rregullt meqë Prokuroria nuk ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit për të njëjtit.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake nuk ka pranuar kërkesë për vazhdim apo zëvendësim të masës që nënkupton që të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt pas kësaj date, derisa ende vazhdon procedura paraprake/hetimore” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri Albin Beqiri kishte prezantuar letërnjoftimin e tij në kompaninë “Ipko” në Mitrovicë dhe kishte blerë 10 numra të telefonit për të pandehurin Fatmir Tahiri dhe këta numra ia dorëzon të njëjtit.

Tutje, sipas dosjes, njëri prej këtyre numrave të telefonit përdoret për të kontaktuar pronarin e automjetit nga i cili grabitësit e blejnë automjetin, i cili përdoret gjatë grabitjes në Suharekë.

Prokuroria e Prizrenit ata i ngarkon me veprën penale – dhënia e ndihmës gjatë kryerjes së veprës penale të grabitjes.

Kurse, Bashën, Istrefin dhe Cakollin i ngarkon me veprën penale të grabitjes.

Vendimin për vazhdimin e paraburgimit e ka marrë gjyqtarja e procedurës paraprake Teuta Krusha.

Vlera e arit të grabitur në argjendari nga të dyshuarit llogaritet të jetë mbi 200 mijë euro.