Votohet marrëveshja e kyçjes në mes KOSTT dhe ENTSO-E

Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, ka njoftuar se sot ka përfunduar procesi i votimit për Marrëveshjen e Re të Kyçjes në mes KOSTT dhe Rrjetit Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO –E).

Hajdari ka thënë se marrëveshja e re është miratuar nga RGCE (Grupi Regjional i Evropës Kontinentale).

Ajo ka shtuar se me votimin e sotëm dhe nënshkrimin që do të pasojë, të Marrëveshjes së Re të Kyçjes ndërmjet KOSTT dhe ENTSO-E, KOSTT dhe Republika e Kosovës fitojnë pavarësinë energjetike, për të cilën është punuar disa vite me radhë.

“Me këtë rast falënderojmë Gjermaninë me partnerët, SHBA dhe vendet tjera MIKE. Njëherit përgëzojmë KOSTT për këtë arritje të jashtëzakonshme! Urime Kosovë në këtë kohë të vështirë me Pandeminë COVID -19 por me SUKSESE HISTORIKE!”, ka shkruar ministrja Hajdari.

Në qershor të vitit 2019, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte paralajmëruar se shumë shpejtë do të përmbyllet pavarësia energjetike e Kosovës.

Haradinaj ka shtuar se KOSTT do të operojë e pavarur nga Serbia sipas marrëveshjes së re të kyçjes në Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO-E).

Kryeministri Haradinaj e ka dhënë këtë lajm pas refuzimit të kërkesës së Serbisë nga Operatorët e Sistemit Transmetues të Europës Kontinentale, për rishikim të vendimit të tyre të fundit, që ka të bëjë me definimin e afatit kohor për operim të KOSTT-it zonë/bllok rregullues brenda Europës kontinentale, jo më larg se 14 prill 2020.

“Përgëzoj menaxhmentin e KOSTT-it, për insistimin e vazhdueshëm për pavarësimin energjetik të Kosovës, si dhe mirënjohës të gjitha kompanive homologe me KOSTT-in, miqtë tanë amerikanë dhe gjermanë, që përkrahen të drejtën e Kosovës”, kishte shkruar Haradinaj në Facebook.

Marrëveshja për Energji është njëra prej marrëveshjeve të arritura në mes të Serbisë dhe Kosovës në dialogun disavjeçar.

Kjo Marrëveshje, e arritur në vitin 2013, nuk po zbatohet. Moszbatimi i saj ka pasoja të mëdha për Republikën e Kosovës qoftë në menaxhimin e sektorit të energjisë apo edhe financiare.

Dikur KEK-u e tash KESCO janë duke i furnizuar me energji elektrike katër komunat me shumicë serbe, por asnjëherë deri më tani nuk kanë pranuar asnjë pagesë. Këtë rrymë të shpenzuar në veri deri në muajin dhjetor të vitit 2017 e kanë paguar qytetarët e tjerë, kurse tash i paguan Qeveria e Kosovës. Përveç kësaj, Serbia duke u thirrur si pronare e rrjetit të transmisionit përfiton miliona euro, mirëpo ka ndikim edhe çmimin e energjisë së importuar.

E një nga pasojat e fundit është pamundësia për të funksionalizuar linjën interkonektive 400 kV që lidh Kosovën me Shqipërinë. E quajtura “Autostrada Energjetike” nuk po mund të funksionalizohet në plotni përkundër që janë bërë gati 2 vjet që kur ka qenë e gatshme për të bartur energji.

Humbjet Milionëshe në Energjetikë