Humbjet Milionëshe në Energjetikë

Marrëveshja për Energji është njëra prej marrëveshjeve të arritura në mes të Serbisë dhe Kosovës në dialogun disavjeçar.

Kjo Marrëveshje, e arritur në vitin 2013, nuk po zbatohet. Moszbatimi i saj ka pasoja të mëdha për Republikën e Kosovës qoftë në menaxhimin e sektorit të energjisë apo edhe financiare.

Dikur KEK-u e tash KESCO janë duke i furnizuar me energji elektrike katër komunat me shumicë serbe, por asnjëherë deri më tani nuk kanë pranuar asnjë pagesë. Këtë rrymë të shpenzuar në veri deri në muajin dhjetor të vitit 2017 e kanë paguar qytetarët e tjerë, kurse tash i paguan Qeveria e Kosovës. Përveç kësaj, Serbia duke u thirrur si pronare e rrjetit të transmisionit përfiton miliona euro, mirëpo ka ndikim edhe çmimin e energjisë së importuar.

E një nga pasojat e fundit është pamundësia për të funksionalizuar linjën interkonektive 400 kV që lidh Kosovën me Shqipërinë. E quajtura “Autostrada Energjetike” nuk po mund të funksionalizohet në plotëni përkundër që janë bërë gati 2 vjet që kur ka qenë e gatshme për të bartur energji.

Janë realizuar me sukses të gjitha testimet e operimit të linjës interkonektive 400 kV nga KOSTT dhe OST Shqipëri, por funksionalizimi i saj nuk është realizuar. Shkak është mos-implementimi i marrëveshjes për kyçje KOSTT-ENTSO-E si pasojë e pengesave të shkaktuara nga Serbia përmes operatorit të tyre (EMS).

“Qeveria e Republikës së Kosovës, Qeveria e Republikës së Shqipërisë, KOSTT dhe OST, kanë ngritur çështjen e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri në të gjitha institucionet dhe takimet relevante rajonale dhe evropiane”, thuhet në përgjigjen e KOSTT për KALLXO.com.

Ata kanë theksuar se gjithë aktorët janë duke punuar intensivisht për zgjidhjen e situatës dhe funksionalizimin e linjës së re interkonektive.

Me vënien në operim të linjës së re 400 kV Kosovë-Shqipëri, do të mundësohet shkëmbimi më i madh i energjisë elektrike në mes të dy vendeve sidomos pas ngritjes së kapaciteteve gjeneruese të planifikuara në Kosovë të bazuara kryesisht në linjit si dhe të kapaciteteve gjeneruese hidro të Republikës së Shqipërisë.

Kosova dhe Shqipëria aktualisht janë të lidhura me një linjë interkonektive 220 kV. Sipas KOSTT kapaciteti i transferit të interkoneksionit me Shqipërinë aktualisht është rreth 200MW dhe me vënien në operim të linjës do të ngritet në rreth 700MW.

“Linja interkonektive 400kV Kosovë-Shqipëri do të ndikojë në optimizimin e dy sistemeve, ngritjen e kapaciteteve transmetuese, si dhe ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, gjithashtu do të ketë ndikim në zhvillimin e mëtejmë të tregut të energjisë elektrike në mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe do të ofroj kapacitete të mjaftueshme transmetuese në Bursën shqiptare të energjisë APX, ku Kosova përmes KOSTT do të jenë aksionare”, potencohet në përgjigjen e KOSTT.

Në kuadër të projektit të linjës 400 kilovoltëshe mes Kosovës dhe Shqipërisë është përfshirë edhe ndërtimi dhe instalimi i pajisjeve të tensionit të lartë, si dhe infrastrukturën e nevojshme për ofrimin e shërbimeve të rregullimit sekondar (frekuencë – fuqi), në mes të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Shqipërisë (OST)

“Vlera e financimit nga Qeveria Gjermane përmes KfË (pjesa e Kosovës) është € 33.5 mil (€16.5 mil. grant + €17 mil. kredi)”, ka thënë KOSTT.

Po ashtu kanë theksuar se kredia tashmë ka filluar të kthehet nga KOSTT (gjithashtu dhe nga OST) e në anën tjetër nuk realizohen të hyra nga kjo linjë.

“Si rezultat i mosfunksionalizimit të linjës 400 kV Kosovë-Shqipëri, humbjet janë të vazhdueshme, nga humbja e oportunitetit që do të ofronte kjo linjë si në aspektin e sigurisë së sistemit ashtu edhe në atë tregtar”, thuhet në përgjigje.

Sipas KOSTT, Operatori i Sistemit të Transmisionit të Serbisë (EMS) me veprimet e saj po vazhdon t’i shkaktoj dëme financiare KOSTT-it dhe konsumatorëve të Kosovës në përgjithësi duke shkelur dispozitat e Traktatit të Komunitetit të Energjisë për Evropën Juglindore, për të cilën KOSTT ka dorëzuar edhe ankesë formale në gusht të vitit 2008 në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë për Evropën Juglindore (SKE nr.ECS-3/08).

“Gjithashtu, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Kyçje në mes të KOSTT dhe ENTSO-E më 1 tetor 2015, EMS (Serbi) edhe pse edhe vet është nënshkruese e kësaj Marrëveshje së bashku dhe me 29 anëtarë të tjerë të ENTSO-E, vazhdon të mos përmbush obligimet e veta që dalin nga kjo Marrëveshje duke pamundësuar kështu hyrjen në fuqi të Marrëveshjes KOSTT/ENTSO-E”, ka theksuar KOSTT.

Mos implementimi i Marrëveshjes për Kyçje, KOSTT/ENTSO-E gjithashtu po i shkakton dëme financiare KOSTT-it, pasi që operatori serb EMS vazhdon që të ketë përfitime milionëshe nga alokimi i kapaciteteve të linjave kufitare të Kosovës me shtetet fqinje.

“Konkretisht për vitin 2017 në mënyrë të kundërligjshme EMS ka inkasuar 9.6 milion euro”, përfundon përgjigja e KOSTT për KALLXO.com.

Ministri për Zhvillim Ekonomik, Valdrin Lluka derisa ishte pjesëmarrës në Forumin e Tretë të Nivelit të Lartë për Energji, me temë “Investimet në Infrastrukturën e Energjisë” theksoi se kohët e fundit ka dinamizëm të shtuar për zgjidhjen e problemit për linjën interkonektive 400 kilovoltëshe Kosovë –Shqipëri, e cila nuk është funksionale edhe pse është inauguruar që nga qershori i vitit 2016.

“Së fundi ka filluar të ketë dinamizëm të shtuar, qeveria gjermane ka pasur një delegacion në Kosovë dhe Serbi. Po ashtu do të jetë ndër temat kryesore në dialogun e Brukselit. Jam optimist që deri në qershor do të zgjidhet ky problem”, ka theksuar Lluka në Forumin për Energji.

Në takimin e fundit në kuadër të dialogut në nivel të lartë politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, janë takuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Njëra nga kërkesat e Federica Mogherinit, Përfaqësueses së Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë në këtë takim ishte edhe zbatimi i marrëveshjes për energji.