
Vjosa Osmani në Bruksel | Foto: Komisioni Evropian
Vjosa Osmani: Armatimi i gjetur në veri ka qenë për 400 persona
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se armatimi i gjetur gjatë bastisjeve në Banjskë të Zveçanit ka qenë për 400 persona.
“Shumë informata që nuk janë në publik dëshmojnë se ka qenë një plan shumë më i madh, pra i përmasave shumë më të mëdha, në bazë të armatimit i cili ka qenë për 400 persona”- tha presidentja në një intervistë në RTK.
Sipas saj, faktet do të dëshmojnë se kishte qëllim të niste një konflikt në Ballkan.
Presidentja Osmani potencoi se secili veprim dhe deklaratë e presidentit të Serbisë, nga sulmi deri më sot, vetëm sa e ka konfirmuar përfshirjen direkte në sulmin që ka ndodhur.
Shefja e shtetit tha se Serbia ka rrezikuar edhe jetën e ushtarëve të NATO-s, duke vendosur në automjete mbishkrimin KFOR.
“Duke personifikuar dhe falsifikuar shenjat e KFOR-it mbi makinat e blinduara, rrezikuan edhe jetën e ushtarëve të NATO-s”- shtoi ajo.
Osmani theksoi se pret që do këtë masa të ashpra ndaj Serbisë, derisa masat ndaj Kosovës duhen të hiqen pasi, sipas saj, janë plotësuar kriteret e kërkuara.