Vjedhja e 2 milionë eurove nga Thesari, Supremja refuzoi ankesat e Grudës dhe Shalës

Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte gjetur fajtorë dhe dënuar Labinot Grudën dhe Kadri Shalën në dhjetor të vitit 2022, për vjedhjen e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Labinot Grudës i ishte shqiptuar dënim unik me burgim prej 11 vitesh dhe gjobë 8 mijë e 500 euro, kurse Shalës burgim 10 vite dhe 33 mijë euro gjobë.

Këtë dënim e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, në qershor të vitit të kaluar.

1 vit e 1 muaj pas, ky rast ka marrë përgjigje edhe nga Gjykata Supreme.

Gjykata Supreme ka vendosur se dy instancat, Themelorja dhe Apeli e kanë zbatuar drejt ligjin penal, dhe dënimi i shqiptuar është brenda kornizës së minimumit dhe maksimumit.

Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kishin paraqitur avokatët e tyre, Tahir Rrecaj dhe Florent Latifaj.

Pasuria e fituar në mënyrë të kundërligjshme në këtë rast ishte konfiskuar me rastin e shpalljes së vendimit nga Gjykata Themelore.

Vendimi i dënimit ishte marrë nga Arben Hoti – kryesues i trupit gjykues dhe Valbonë Selimaj dhe Mentor Bajraktari – anëtarë.

Kujtojmë se Labinot Gruda pati pranuar fajësinë për veprën për të cilën Prokuroria e akuzonte, mirëpo gjykata e kishte refuzuar pranimin e fajësisë.

Ndërsa, Kadri Shala kishte negociuar me Prokurorinë për marrëveshje për pranimin e fajësisë mirëpo nuk patën arritur një të tillë.

Kolegji gjykues i Supremes që refuzoi ankesat e avokatëve të Grudës dhe Shalës përbëhet nga Rasim Rasimi – kryetar, Agim Maliqi dhe Afrim Shala – anëtarë.

Si ishte kryer vjedhja?

Gruda, ish-zyrtar i Ministrisë së Financave kishte arritur që ta manipulojë gjithë sistemin e pagesave të projekteve të kësaj ministrie.

Gruda kishte nisur të hapte fjalëkalime të ndryshme në kompjuterin e ministrisë.

Fillimisht sipas dosjes ai i kishte dhënë vetes të drejtën në sistem që të krijonte përdorues të tjerë, ndërsa tutje duke krijuar profile të punëtorëve të tjerë të ministrive kishte arritur ta manipulonte sistemin në tërësi.

Procesi që nënkuptonte klikime brenda sistemit i mundësoi Grudës që pas 76 minutash të autorizonte vjedhjen e 2.1 milionëve.

Paratë me disa klikime ishin derdhur nga kontoja e thesarit  – në konton e një kompanie.

Dosja e prokurorisë tregon se Kadri Shala, si person përgjegjës i kompanisë “LDA GROUP SHPK” i ka mundësuar Grudës, që paratë nga Thesari i Shtetit në vlerë të 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove e 90 centë të transferohen në të njëjtën kompani në mënyrë të kundërligjshme.

Ai ngarkohej me veprën ndihmë në kryerjen e keqpërdorimit të detyrës.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK