Vjedhja e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, Gjykata shpall vendimin për të akuzuarit
Gjykata e Prishtinës ka shpallur fajtorë Labinot Grudën dhe Kadri Shalën, të akuzuar për vjedhjen e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.
Gjykata e dënoi Labinot Grudën me dënim unik, dënim me burg në kohëzgjatje prej 11 viteve dhe dënim me gjobë në vlerën 8500 euro.
Po ashtu i shqiptoi dënimin plotësues me të cilin ia ndalon ushtrimin e punëve në funksion publik.
Ndërsa, të pandehurin Kadri Shala gjykata e dënoi me dënim unik, dënim me burg në kohëzgjatje prej 10 viteve dhe dënim me gjobë në vlerë 33 mijë euro.
Gjykata në shpallje të vendimit njoftoi se e tërë pasuria e fituar në mënyrë të kundërligjshme është konfiskuar.
Kujtojmë se Labinot Gruda pati pranuar fajësinë për veprën që Prokuroria ia vë në barrë, mirëpo gjykata e kishte refuzuar pranimin e fajësisë.
Ndërsa, Kadri Shala kishte negociuar me Prokurorinë për marrëveshje për pranimin e fajësisë mirëpo nuk patën arritur një të tillë.
Në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com, Prokuroria Speciale ka përshkruar se më 9 tetor të vitit 2020, Kadri Shala, si person përgjegjës i kompanisë “LDA GROUP SHPK” i ka mundësuar Labinot Grudës, zyrtar në Ministrinë e Financave, që paratë nga Thesari i Shtetit në vlerë të 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove e 90 centë të transferohen në të njëjtën kompani në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas Prokurorisë Speciale, Kadri Shala ka kryer veprën penale të ndihmës e cila është ndërlidhur me veprën tjetër penale atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Dy të pandehurit, Labinot Gruda dhe Kadri Shala, sipas aktakuzës nga data 9 tetor deri më 15 tetor të vitit 2020 në Prishtinë, pas marrëveshjes dhe planifikimit paraprak në bashkëkryerje kanë bërë transferimin e parave nga Thesari i Shtetit në kompaninë e personit të autorizuar Kadri Shala “LDA GROUP SHPK” ndërsa me qëllim të fshehjes së parave të transferuara në mënyrë të kundërligjshme, i ka ndarë rreth 2.1 milionë eurot në llogari të ndryshme bankare të personave fizikë nën arsyetimin për blerje, huazim, avancë, donacione e kryerje të borxheve.
1 milion e 416 mijë e 413 euro e 64 centë Shala dyshohet se i ka transferuar në 26 kompani të ndryshme në Kosovë ndërsa 440 mijë euro i njëjti person dyshohet se i ka transferuar në llogari bankare në Turqi nën arsyetimin për pagesë të blerjes së makinerisë së betonierës dhe pompës së betonit.
Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.