(VIDEO) Policia vendos pika kontrolli në magjistralen Mitrovicë - Leposaviq

Policia e Kosovës ka vendosur pika kontrolli në rrugën magjistrale Mitrovicë-Leposaviq.

Sipas Policisë kjo është bërë për të garantuar qarkullimin dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë pa dallim, si dhe parandalimin e veprimtarive kriminale dhe kontrabandës në përgjithësi.

Media online kosovare në gjuhen serbe, Kossev, ka publikuar një video nga këto pika kontrolli.

Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë dislokuar në disa pika jo shumë larg kthesës për në Banjskë afër urës së Bistricës në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq. Ata me radhë i lënë makinat të kalojnë duke qëndruar pranë mjeteve të blinduara në rrugë.

Pak orë pas largimit të policëve në këtë rrugë, ka ardhur konfirmimi edhe nga Policia e Kosovës, por pa specifikuar nëse bëhet fjalë për Njësi Speciale apo policë të rregullt, raporton Kossev.

Janë bërë 12 ditë që kur janë bllokuar rrugët në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës që çojnë në dy pikat kufitare, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Vendosja e barrikadave ka filluar më 10 dhjetor 2022, pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet për kryerje të veprave penale terroriste dhe kundër rendit kushtetues.

Ai dyshohet se organizatoi sulmet e 6 dhjetorit që ndodhën ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës. Ndaj të njëjtit, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë është caktuar masa e paraburgimit prej 30-ditësh.

Policia vendos pika kontrolli të automjeteve në magjistralen Mitrovicë – Leposaviq