VIDEO - Konjufca: Askush nuk do të mund ta ndalë formimin e Qeverisë Kurti

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar se bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës po vazhdojnë, por se ende nuk ka marrëveshje përfundimtare.

Megjithatë, ai shtoi se është optimist për finalizim të marrëveshjes dhe se askush nuk do të mund ta ndalë formimin e Qeverisë në krye me Albin Kurtin.

“Natyrisht bisedimet po vazhdojnë, nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare, por unë jam shumë optimist që marrëveshja do të bëhet dhe që askush nuk do të mund ta ndalë formimin e qeverisë Kurti të cilën aq shumë janë duke e pritur qytetarët e Kosovës dhe për të cilën kanë votuar ata me 6 tetor gjatë zgjedhjeve të fundit dhe që u cilësuan si të rregullta demokratike me standarde shumë të larta sa i përket mbarëvajtjes atë ditë”, theksoi ai.

Konjufca shtoi se duhet implementuar vullneti qytetar i shprehur me 6 tetor.

“E tëra që duhet të bëjmë ne është të implementojmë zërin e qytetarëve që ndodhi më 6 tetor dhe ky zë ishte për ndryshime dhe për Albin Kurtin kryeministër të ardhshëm të Republikës së Kosovës”, tha kryeparlamnetari.

Me kërkesë të Kurtit, Kryesia e Kuvendit sot ka vendosur që seanca për votimin e qeverisë të mbahet me 3 shkurt në orën 11.