(VIDEO) Banorët e Negrocit paguan për rrugën që nuk u asfaltua kurrë

Banorët e fshatit Negroc të Drenasit, pavarësisht që dhanë para në vitin 2008 për projektin e rrugës, asnjëherë nuk e panë rrugën të shtruar në asfalt.


Rruga ‘Haki Krasniqi’ mbeti e paasfaltuar ndërsa thonë se komuna nuk ua ktheu as paratë.

Zymer Krasniqi, banori i fshatit, tregon vështirësitë që u sjell çdo ditë nga mungesa e infrastrukturës e sidomos gjatë reshjeve të shiut dhe borës.

“Kjo rrugë është e rrëpishme e tipit kodrinor-malor, për çdo vit unë duhet me i hapë 200 metra kanal, në këtë moshë që jam edhe invalid. Ajo që është më e keqja, është se shirat që bijnë këta zhavorr që e kam shtru para dy muajve, e banë dhe e qon atje në lug. Qysh e bënë edhe të pamundshme kalimin këtu”, tha ai.

Krasniqi thotë se vazhdimisht kishte marrë premtime se do t’i kthehen paratë që i kishte dhënë bashkë me 70 familje tjera.

“Projekti për lagjen Pllaviq dhe atë Shalë, është ideor dhe praktik nga grupi i organizuar nga vet fshati me ndihmën e kuvendit komunal. Ata na e kanë dhënë pëlqimin na kanë thënë bëjeni projektin dhe pagune, na do ta fusim prioritet, edhe është kry. Projekti na ka kushtu 2,700 e diçka euro, i kam dëshmitë. Na është premtu që kanë me ju kthy komunitetit, komuniteti e dinë e sot atë ditë nuk janë kthye kurrë”, shprehet ai.

Edhe banori tjetër Aplit Krasniqi, ankohet për gjendjen e rrugës. Ai thotë se çdo vit detyrohen që të shtrojnë zhavorr përgjatë kësaj rruge.

“Ne me mjete tona financiare duhet me shtru çdo vit dy tre kamionë zhavorr sepse zalli teposhtë shkon. Për çdo vit duhet me hapë kanal, bashkë me prindin që është në pension. Pra vështirësitë janë shumë të mëdha edhe në qarkullimin e njerëzve”, tha ai.

Zyrtarë të Komunës së Drenasit thonë për KALLXO.com se nuk i ka marrë paratë që banorët thonë se i kanë mbledhur për asfalt, ndërsa premton se rruga do të asfaltohet në vitin e ardhshëm.

“Sipas informatave që ka Komuna e Drenasit, mjetet kanë qenë të dedikuara për projektin në tërësi të rrugës, projekti ka përfunduar në vitin 2008. Mjetet janë shpenzuar, dhe Komuna asfalton rrugë në bazë buxhetit që ka, ekzistenca e projektit nuk garanton që rruga të asfaltohet në tersi menjëherë, por shtrohet në bazë të mundësive buxhetore, pra faza-faza, dhe për këtë rast projekti i njëjtë do të shfrytëzohet për asfaltimin e segmentit që ju e përmendni gjatë vitit të ardhshëm. Nëse banorët mendojnë që ka kontest rreth asaj pjese të mjeteve, mund t’i drejtohen Gjykatës kompetente”, thuhet në përgjigjen e Komunës.