
Vendimi i Gjykatës së Prishtinës: Paraburgim për anëtarin e dyshuar të grupit terrorist
Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit për të Vlladimir Toniqin, i cili dyshohet se është pjesëtar i grupit terrorist që kreu sulm kundër Policisë së Kosovës në afërsi të fshatit Banjskë të Zveçanit.
Një polic është vrarë, një tjetër është plagosur e një është lënduar në sulmin e kryer të dielën rreth orës 3:00 të mëngjesit.
Vlladimir Toniq po dyshohet për sulm kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, përfshirë vepra të dyshuara të terrorizmit.
Vendimi u mor pas një seance dëgjimore të mbajtur sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku i pandehuri është duke u mjekuar për shkak të plagëve të marra dje.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj tij.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka vendosur masën e paraburgimit për një muaj.
Kjo masë është përcaktuar në përputhje me legjislacionin relevant, dhe palët e pakënaqura kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës së Prishtinës.