Sulmi i Xhavit Halitit ndaj Arben Gashit – Rasti rrezikon të parashkruhet në Gjykatë

Seanca ndaj Xhavit Halitit i cili akuzohet se sulmoi Arben Gashin në Kuvendin e Kosovës në maj të vitit 2018, ka dështuar përsëri të mbahet.

Aryse për këtë sipas avokati të deputetit të PDK-së, Xhavit Halitit, Kujtim Kërveshi, është fakti që ai nuk i ka shkresat e lëndës që nga gushti i vitit 2019.

“Që nga 15 gushti i vitit 2019 me parashtresë i kemi kërkuar shkresat e lëndës nga prokuroria” – tha ai.

Për këtë, prokurori Besnik Jakupi tha se gjatës së djeshme ishte munduar të kontaktojë përmes telefonit me avokatin për këtë çështje por tha nuk kishte mundur të arrihet një gjë e tillë.

“Edhe unë e kam thirrë mbrapa, por nuk e ka hap. Edhe sot kam kontaktuar me zyrën e prokurorit. Bashkëpunëtorja e tij s’ishte në dijeni pse më ka telefonu” – tha Kërveshi për këto telefonata.

Ndaj këtyre zvarritjeve reagoi në seancë përfaqësuesi i të dëmtuarit Arben Gashit, avokati Ahmet Tahiri duke thënë se kjo çështje qëllimisht është duke u zvarritur, duke theksuar faktin se kjo lëndë rrezikon të parashkruhet vitin e ardhshëm.

“Dua të ngre një shqetësim, gjyqtar. Kjo çështje qëllimisht po zvarritet, kjo lëndë rrezikon të parashkruhet” – tha avokati Tahiri në seancë.

Gjykatësi i rastit Driton Berisha tha se këtë lëndë e kishte marrë jo më shumë se një muaj, kurse do i marrë gjithë masat që të kujdeset se kjo lëndë të mos parashkruhet.

“Ka të drejtë avokati. Kjo çështje shumë herë ka dështuar të mbahet, ndonjëherë edhe pa arsye. Do të kujdesem që kjo lëndë mos të parashkruhet” – tha gjykatësi Berisha në seancën e sotme.

Më 14 tetor 2019, gjykatësi Kushtrim Shyti i dënoi me nga 1,250 euro gjobë dy deputetët e Kuvendit, Xhavit Halitin e Gani Dreshajn.

Dreshaj ishte dënuar për kanosje ndaj Arben Gashit, por i njëjti nuk kishte kundërshtuar gjobën e shqiptuar.

Ndaj këtij aktgjykimi, kundërshtim kishte bërë avokati Kërveshi.

Edhe seanca e kaluar më 14 dhjetor të këtij viti kishte dështuar të mbahej për shkak të mungesës së të akuzuarit Haliti.

Çka thotë aktakuza për këtë rast?

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja e shtetit Merita Shala- Muhaxhiri, më datën 18 maj 2018 në Kuvendin e Kosovës Xhavit Haliti me dashje e ka sulmuar deputetin Arben Gashi.

Aktakuza përshkruan se Haliti e kishte shtyrë me krah dhe bërryl – në gjoks Gashin, duke kryer kështu veprën penale sulmi.

Gjithnjë sipas dosjes, në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend, i pandehuri tjetër Gani Dreshaj, me dashje e kishte kanosur deputetin Gashi.

Sipas përshkrimit, Dreshaj i kishte thënë Gashit “kom me ta prishë ftyrën” duke i shkaktuar këtij të fundit frikë dhe ankth, duke kryer kështu veprën penale kanosje.

Prokuroria përmes aktakuzës me urdhër ndëshkimor kishte kërkuar dënim me gjobë pa shqyrtim gjyqësor për të pandehurit.

Pranimi i kundërshtimit të ushtruar nga Xhavit Haliti kishte shkaktuar mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor për të vendosur edhe njëherë për rastin në fjalë vetëm për të, por jo edhe për Dreshajn.

Ndjekja penale i ka kaluar prokurorit të shtetit Besnik Jakupit.