Vendimi i Gjykatës për njërin nga serbët e arrestuar për protestat e dhunshme në veri

Dushan Obrenoviq është njëri nga serbët e arrestuar në maj të këtij viti lidhur me protestat e dhunshme në Zveçan. Gjatë këtyre protestave ishte ushtruar dhunë ndaj forcave të KFOR-it, Policisë së Kosovës, por edhe gazetarëve që mbulonin zhvillimet atje.

Së paku 30 ushtarë të KFOR-it kishin mbetur të lënduar nga ato protesta të dhunshme, tre prej tyre me armë zjarri.

Ndaj Dushan Obrenovqit gjykata kishte vendosur si masë të sigurisë caktimin prej 30 ditë paraburgim dhe atë që nga që nga 31 maji i këtij viti. Paraburgimi i ishte vazhduar edhe për dy muaj të tjerë të dyshuarit në fund të Qershorit të këtij viti.

Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës më datën 25 gusht të këtij viti ka marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Obrenoviq dhe për dy muaj të tjerë dhe atë deri me datën 28 tetor të këtij viti.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zyra e gjyqtarit të procedurës paraprake, Musa Konxheli.

Për këtë rast si i bashkëdyshuar ka qenë edhe Radosh Petroviq të cilit masa e paraburgimit i ishte zëvendësuar muajin e kaluar, me masën e dorëzanisë.

KALLXO.com kishte raportuar se shuma e specifikuar për dorëzani ka qenë 30 mijë euro.

Gjatë këtyre protestave u ushtrua dhunë ndaj forcave të KFOR-it, Policisë së Kosovës, por edhe gazetarëve që mbulonin zhvillimet atje.

Së paku 30 ushtarë të KFOR-it janë lënduar nga këto protesta të dhunshme, tre prej tyre me armë zjarri. Gjykata e Prishtinës kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për dy të dyshuarit. KALLXO.com kishte siguruar dosjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës për dy të dyshuarit.

Sipas dosjes, i dyshuari Petroviq ka të kaluar kriminale. Dosja e Prokurorisë sqaron se të dyshuarit nga ora 6:00 e mëngjesit e deri në orët e vona të mbrëmjes së 29 majit, pranë objektit të Komunës së Zveçanit kanë marrë pjesë në grupin e individëve të cilët përmes dhunës tentuan të shkaktojnë trazira.

Konkretisht, ata nuk i kishin zbatuar urdhrat e ushtarëve të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës protestuese.

Madje, ata kishin filluar të ushtrojnë dhunë me mjete të forta, në mënyrë të pakontrolluar, me ç’rast janë lënduar më shumë se 30 ushtarë të forcave të KFOR – it, 3 prej tyre u lënduan nga predhat e armëve të zjarrit.

Përveç ushtarëve të KFOR-it, lëndime pësuan edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Po ashtu, Petroviq dhe Obrenoviq, përmes dhunës kanë dëmtuar veturat e gazetarëve, disa prej të cilave ishin djegur plotësisht, duke shkaktuar kështu rrezik të lartë për jetën e shumë gazetarëve.

Marrë parasysh të gjitha veprimet e lartcekura, personat në fjalë dyshohet të kenë kryer katër vepra penale: Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues; Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare; Sulmi ndaj personit zyrtar; dhe

– Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi.
Këto janë dënimet sipas Kodit Penal për veprat për të cilat dyshohen të arrestuarit:
– Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, parashihet dënimi maksimal prej 5 vitesh burgim,
– Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, parashihet dënim maksimal prej 10 vitesh burgim,
– Sulmi ndaj personit zyrtar, parashihet dënim maksimal prej 10 vitesh burgim,
– Pjesëmarrja në turmë, dënimi maksimal shkon deri në 5 vite burg.

Kush janë serbët e arrestuar në Zveçan dhe për çfarë po dyshohen ata?