Përleshje mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan. FOTO: Screenshot REL.

Kush janë serbët e arrestuar në Zveçan dhe për çfarë po dyshohen ata?

Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq janë dy serbët të cilët u arrestuan të hënën për protestat e dhunshme në Zveçan.

Gjatë këtyre protestave u ushtrua dhunë ndaj forcave të KFOR-it, Policisë së Kosovës, por edhe gazetarëve që mbulonin zhvillimet atje.

Së paku 30 ushtarë të KFOR-it janë lënduar nga këto protesta të dhunshme, tre prej tyre me armë zjarri.

Gjykata e Prishtinës sot ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për dy të dyshuarit.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës për dy të dyshuarit.

Sipas dosjes, i dyshuari Petroviq ka të kaluar kriminale.

Dosja e Prokurorisë sqaron se të dyshuarit nga ora 6:00 e mëngjesit e deri në orët e vona të mbrëmjes së 29 majit, pranë objektit të Komunës së Zveçanit kanë marrë pjesë në grupin e individëve të cilët përmes dhunës tentuan të shkaktojnë trazira.

Konkretisht, ata nuk i kishin zbatuar urdhrat e ushtarëve të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës protestuese.

Madje, ata kishin filluar të ushtrojnë dhunë me mjete të forta, në mënyrë të pakontrolluar, me ç’rast janë lënduar më shumë se 30 ushtarë të forcave të KFOR – it, 3 prej tyre u lënduan nga predhat e armëve të zjarrit.

Përveç ushtarëve të KFOR-it, lëndime pësuan edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Po ashtu, Petroviq dhe Obrenoviq, përmes dhunës kanë dëmtuar veturat e gazetarëve, disa prej të cilave ishin djegur plotësisht, duke shkaktuar kështu rrezik të lartë për jetën e shumë gazetarëve.

Marrë parasysh të gjitha veprimet e lartcekura, personat në fjalë dyshohet të kenë kryer katër vepra penale: Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues; Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare; Sulmi ndaj personit zyrtar; dhe – Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi.

Këto janë dënimet sipas Kodit Penal për veprat për të cilat dyshohen të arrestuarit:

– Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, parashihet dënimi maksimal prej 5 vitesh burgim,

– Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, parashihet dënim maksimal prej 10 vitesh burgim,

– Sulmi ndaj personit zyrtar, parashihet dënim maksimal prej 10 vitesh burgim,

– Pjesëmarrja në turmë, dënimi maksimal shkon deri në 5 vite burg.