Slavko Aleksiq kishte komanduar pozicionet e snajperistëve mbi Sarajevë

Vdes papritmas dëshmitari i hetimit të “safarit njerëzor” në Sarajevë

Slavko Aleksiq mund ta ketë ditur nëse snajperistët udhëtuan në Bosnjë gjatë konfliktit të viteve 1990 dhe paguan për t’iu dhënë mundësinë që t’i qëllonin qytetarët atje, ka shkruar gazeta londineze, “The Times”.

Një ish-udhëheqës i milicisë boshnjake ka vdekur në rrethana misterioze.

Slavko Aleksiq, 69 vjeç, i cili komandonte pozicionet e snajperistëve mbi Sarajevën gjatë luftërave ballkanike, ka vdekur në Trebinje të Bosnjës, ka raportuar të enjten agjencia qeveritare boshnjake e lajmeve.

Vdekja e tij është raportuar një muaj pasi një prokuror italian nisi hetimin e provave të reja se gjuetarët e pasur i paguanin forcat serbe të Bosnjës që t’i qëllonin banorët e Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit gjatë viteve 1990, ku të vdekur mbetën më shumë se 11.500 sarajevas.

Hetuesit po hetojnë raportet se shërbimet sekrete të Italisë ndaluan snajperistët italianë që udhëtonin nga Trieste që të merrnin pjesë në “safarin njerëzor”. Atëherë, Aleksiq – punëtor poste i shndërruar në lider milicie – kishte pushtuar varrezat hebraike mbi Sarajevë, të përdorura nga snajperistët dhe ngriste një makinë ku kishte vendosur një kafkë njeriu me helmetë të OKB-së.

“Ai mund të kishte thënë se kush i kreu të shtënat dhe kush i organizoi. Ai do të kishte qenë një dëshmitar kyç”, ka deklaruar Çedomir Stojkoviq, avokat serb.

Domagoj Margetiq, gazetar investigativ kroat, ka shtuar: “Në nëntor, Aleksiq me sa duket ishte në gjendje të mirë shëndetësore – dhe tani ai papritmas, dhe shumë lehtë, ka vdekur”.

Margetiq pretendoi muajin e kaluar se Aleksandar Vuçiq, 55 vjeç, president i Serbisë që nga viti 2017, ishte përfshirë në organizimin e të ashtuquajturave safari. Akuza ka shkaktuar kundërshtime të ashpra të zëdhënëses së Vuçiqit, e cila ka deklaruar se Vuçiq ishte në zonë atëherë, porse punonte si gazetar.

Pas luftës, Aleksiq kishte vazhduar të jetonte në Bosnje dhe kishte dhënë një intervistë për televizionin serb më 24 nëntor në të cilën mohoi se Vuçiq kishte qenë i përfshirë në aktivitetin e snajperistëve. “Aleksiq ishte gjallë dhe mirë atëherë, nuk njoftoi ndonjë sëmundje fatale dhe, përkundrazi, tha se do të dëshmonte në favor të Vuçiqit”, ka theksuar Margetiq.

Aleksiq telefonoi më 12 nëntor një emision radiofonik dhe tha se ndodhej në spital në Beograd, shtoi Margetiq. Marketiq kishte treguar se një burim i kishte thënë se Aleksiq ishte dërguar nga Bosnja në spitalin ushtarak të Beogradit nga shërbimi sekret serb. “Është e arsyeshme të mendosh se vdekja e Aleksiqit ishte e lidhur me hetimin e ‘safarit njerëzor’ dhe se inteligjenca serbe ishte e përfshirë”, ka thënë Stojkoviq.

Margetiq ka thënë: “Një burim në një spital në Bosnjë më tha se trupi i Aleksiqit u soll përsëri në Bosnjë që ai të shpallej i vdekur atje”.

Margetiq u ka bërë thirrje prokurorëve të krimeve të luftës në Bosnjë që të ndalojnë çdo kremim ose varrim të planifikuar për Aleksiqin dhe të kryejnë një autopsi për të kontrolluar trupin për helmim të mundshëm.

I pyetur nëse inteligjenca serbe ishte e përfshirë në vdekjen e Aleksiqit, një zëdhënës i Vuçiqit ka deklaruar: “Ky person vdiq në një vend tjetër. Ju lutem lexoni lajmet serioze, jo Domagoj Margetiqin.”

Politikani nacionalist serb i Bosnjës, Milorad Dodik, i bëri homazh Aleksiqit, duke e quajtur “patriot të madh që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit serb”. Ai ka shkruar në X: “Qoftë i lavdëruar dhe i falënderuar përjetësisht për gjithçka që bëri për popullin dhe atdheun e tij”.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com