Madeleine Albright. Foto: Facebook

Vdes mikja e madhe e Kosovës, Madeleine Albright

Ka vdekur në moshën 84-vjeçare mikja e madhe e Kosovës, ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright.

Vdekja e saj u konfirmua në një email drejtuar stafit të Albright Stonebridge Group, firmë strategjike globale e themeluar nga Albright, raporton CNN

Albright ishte figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton.

Së pari shërbeu si ambasadore e ShBA-së në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej shefe e diplomacisë e Shteteve të Bashkuara.

Ajo ishte në krye të diplomacisë amerikane në kohën e luftës në Kosovë dhe njëra prej përkrahësve më të mëdha të sulmeve ushtarake të NATO-s kundër forcave të Serbisë, të cilat po kryenin masakra kundër popullatës shqiptare të Kosovës.

Në shenjë nderimi për kontributin e saj për çlirimin e Kosovës, në Prishtinë është ngritur busti i saj dhe një shesh mban emrin e saj.

“Jam shumë e nderuar që jam këtu, dhe kur më pyesin se çfarë më bën krenare, unë ju them se Kosova. Unë jam shumë e lumtur që kam një statujë këtu sepse ky vend dhe ky shtet ka shumë kuptim për mua”, kishte thënë Madeleine Albright gjatë zbulimit të bustit në sheshin “Albright” në kryeqytet në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës më 2019.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e kishte nderuar Madeleine Albrghtin me “Urdhrin e Lirisë“.