Në 20 vjetorin e çlirimit, Kosova nderoi miqtë që e shpëtuan

Dy dekada më parë në Kosovë gjithçka ishte ndryshe. Shumë njerëz u vranë, të tjerë u gjymtuan e shumë të tjerë u dëbuan dhunshëm nga vendlindja nga forcat serbe.

20 vjet më vonë, më 12 qershor 2019, shteti më i ri në Europë ka festuar ditën e çlirimit.

Lista e mysafirëve për shënimin e kësaj date ishte e gjatë, por atë kryesuan dy personalitete të larta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish- presidenti, Bill Clinton dhe ish-Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright.

Një bust me figurën e ish-shefes së diplomacisë amerikane u zbulua sot në Prishtinë në nderim të kontributit të saj për ndaljen e luftës në Kosovë dhe dëbimin nga këtu të makinerisë policore e ushtarake serbe. Edhe një pllakë u zbulua për ish- presidentin Clinton.

I falënderoj qytetarët e Kosovës, për këtë mikpritje dhe për mirësjelljen që ma bëtë mua, Hillary-t, familjes  tonë. Më pëlqen ky vend,  e dua shumë, dhe gjithherë do të jetë nderi më i madh në jetën time që kam qëndruar me juve kundër spastrimit etnik dhe për liri. Jam shumë mirënjohës që jam këtu me shumë qytetarë që kanë qenë pjesë e atyre betejave”, tha ish- presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të mërkurën në ngjarjen kryesore në Prishtinë.

Nga ana e saj, ish-Sekretarja e Shtetit më të fuqishëm në botë, Madeleine Albright, kujtoi kohën e para 20 vjetëve.

Kam kënaqësinë  që jam me të gjithë ju sot këtu. Mburrem me ta gjitha që kemi bërë së bashku. Lufta në Kosovë ka qenë një përballje ndërmjet vrasjeve barbare dhe forcave të domosdoshme ndërmjet lirisë dhe demokracisë. Ne mbizotëruam sepse Aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë. Më e rëndësishmja ishte se ia dolëm, kauza jonë ishe e drejtë”, tha ajo.

“Jam shumë e nderuar që jam këtu, dhe kur më pyesin se çfarë më bën krenare, unë ju them se Kosova. Unë jam shumë e lumtur që kam një statujë këtu sepse ky vend dhe ky shtet ka shumë kuptim për mua”, tha ajo gjatë zbulimit të një busti në sheshin “Albright” në kryeqytet.

Në fjalën e tij, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se datëlindja e Kosovës është 12 qershori i vitit 1999.

“12 qershori 1999 është ditëlindja e Kosovës, kjo është data që na bashkon të gjithëve pa dallim etnie. 12 qershori themeli i identitetit tonë. Siç ishim bashke në kohen më të rëndë jemi edhe sot në këtë dite të bukur qershori”, u shprehë ai.

Në anën tjetër, kryeministri I Kosovës, Ramush Haradinaj edhe sot, nuk harroi të shprehë qëndrimet mbi prekjen e kufijve.

I bëjmë thirrje popullit të Serbisë edhe presidentit Vuçiq që ta njeh Kosovën si të pavarur në kufijtë e vet në mënyrë që ne që qeverisim të punojmë më shumë e të fokusohemi në vendet e punës për qytetarët tonë. Brezave të tjera tua lëmë lirinë, respektin e jo luftën për territore e kufij”,tha ndër të tjerash kreu i ekzekutivit të Kosovës.

Para shumë mysafirëve, ndërkombëtarë e vendorë, fjalën e mori edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

“Ju, 20 vjet më parë, shpëtuat një komb të tërë. Shpëtuat fëmijët e pastrehë dhe të frikësuar. Prindërit e pashpresë dhe të tmerruar. Nënat, gratë, vajzat e pambrojtura. Një popull të tërë nga gjenocidi. Dhe, mbi të gjitha, i dhatë kuptim vlerave njerëzore, për të treguar se askush, asnjëherë, nuk do të shtypet, nëpërkëmbet dhe rrezikohet vetëm pse tjetri mund ta bëjë këtë dhe është më i fortë. Garant i këtij humanizmi qëndron gjithmonë vendi i lirisë dhe demokracisë në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Veseli.

Ndërsa, zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, pati një mesazh për udhëheqësit e shtetit të Kosovës.

“NATO ka intervenuar pas gjitha përpjekjeve, shtërrimeve diplomatike dhe politike dhe ai intervim ka qenë apo si shans apo mundësia e fundit apo për të gjunjëzuar regjimin e Millosheviqit dhe për të ndaluar shkatërrimit që po bëheshin në këtë vend. Tani e sot ju sfidoj që të parashihni një të ardhme më të ndritur sepse në fund të fundit varet nga qytetarët e Kosovës për të përkufizuar fatin tuaj”, tha ai.

Të ftuar në këtë ngjarje ishin edhe personalitete e liderë të tjerë, vendorë e ndërkombëtarë. Ndër ta edhe ish- presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq.

Mesiq u tregua i afërt me qytetarët kur iu afruan për fotografi, madje ai me njërin prej tyre bëri me duar shqiponjën, një simbol i shqiptarëve.

Në ceremoninë qendrore për 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës ishin edhe krerët e Shqipërisë, presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama.

Atyre nuk iu dha fjala në ngjarjen kryesore, e për këtë, gjatë ditës, KALLXO.com raportoi se ishte hatëruar kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Për sigurinë në këtë ngjarje u angazhuan shumë forca të Policisë së Kosovës, ndërsa gjatë kohës së mbajtës së ceremonisë, PK-ja angazhoi snaiperistët që të mbanin sigurinë në sheshin kryesor të kryeqytetit.

Për të parë nga afër festimin e çlirimit, nga Presheva kishte marrë rrugën edhe Shabedin Ibrahimi.

“Sot kam ardhë në Prishtinë për të festuar 20 vjetorin e çlirimit, e kam ditë që e shoh edhe Clinton-in”, thotë ai.

Interesim për të përcjell ngjarjet sot shfaqën edhe stafi nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Gjatë kohës kur po zbulohej busti i ish- sekretares së shtetit amerikan, shumë nga ta lanë punën e dolën në dritaret dhe shkallët e ndërtesës për të shënuar një kujtim me foto apo video.

 

Përveç bustit për Albright, një pllakë u zbulua për ish- presidentin, Bill Clinton në sheshin me të njëjtin emër në lagjen “Dardania” të Prishtinës.

KALLXO.com ju sjell edhe disa foto nga ngjarja e sotme në Prishtinë me rastin e shënimit të 20 vjetorit të çlirimit: