Vdes i riu nga Podujeva që u ther ditë më parë

Një 18-vjeçar që u ther gjashtë ditë më parë në Podujevë, ka vdekur sot në QKUK.

Vdekjen e tij e ka konfirmuar doktoresha e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Agreta Gecaj – Gashi.

Ajo tha për KALLXO.com se viktima ishte pranuar në gjendje shumë të rëndë dhe pavarëisht trajtimit, ai ka ndërruar jetë sot.

Për vdekjen e të riut, ka reaguar edhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Rast i rëndë e shumë prekës vdekja tragjike e të riut, L.M. i cili na tronditi të gjithëve me rrethanat e vdekjes. I shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe shoqërisë së të ndjerit!” – ka shkruar Bulliqi në Facebook.

Lidhur me këtë rast ishin arrestuar dy të dyshuar.

Viktima fillimisht ishte dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, e më pas është dërguar në QKUK.

Policia kishte njoftuar se në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Derisa, me vendim të prokurorit dy të dyshuarit ishin dërguar në mbajtje.