Foto: REL

Vazhdojnë bllokimet në Bërnjak dhe Jarinje, Policia konfirmon se në 4 raste janë maltretuar qytetarët shqiptarë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se edhe mëngjesin e 1 gushtit, pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje po vazhdojnë të jenë të bllokuara nga grupe të organizuara kriminale.

Përmes një komunikate për media, Policia po ashtu ka bërë të ditur se janë identifikuar 4 raste gjatë ditës së djeshme, ku qytetarët shqiptarë që kanë qarkulluar në atë pjesë, janë ndaluar dhe maltretuar.

Po ashtu, bëhet e ditur se vendimi për reciprocitetin në dokumente, po zbatohet në nivel vendi.

“Vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve që posedojnë dokument personal identifikimi të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të cilët paraqiten për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës, ka filluar të zbatohet në nivel vendi”, ka thënë Policia e Kosovës.

“Dy pikat kufitare Jarinje dhe Bernjak vazhdojnë të mbesin të mbyllura për qarkullim, për shkak të vazhdimit të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre dy pikë kalimeve kufitare, të cilat janë bërë me mjete të rënda nga persona/grupe të organizuara kriminale”.

Gjithashtu, Policia ka konfirmuar se gjatë ditës së djeshme, në katër raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të Policisë, si dhe në një rast është dëgjuar të ketë ndodhur një detonim.

Por që fatmirësisht, sipas Policisë, nuk raportohet për ndonjë qytetar apo zyrtar policer të plagosur nga arma e zjarrit.

“Deri më tani janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë janë ndaluar dhe maltretuar, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre, nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Gjatë ditës së djeshme, një ditë para se të hynte në fuqi vendimi për për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve serb për në Kosovë, grupe të organizuara bllokuan rrugën në pjesën veriore të Kosovës, në Jarinje dhe Bërnjak.

Kryeministri Albin Kurti përmes një deklarate mbrëmë, tha se përgjegjësit kryesorë për tensionet në veri janë Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkovic.

Ndërsa Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

Shtyhet implementimi i reciprocitetit deri më 1 shtator