Ushtruesi i detyrës së kryeshefit: Në KEK më nuk do të ketë nepotizëm e korrupsion

Luigj Imeri, i cili u zgjodh ushtrues detyre i kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës pas shkarkimit të Njazi Thaçit, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, duke iu drejtuar punëtorëve të KEK-ut, ka shkruar se në këtë kompani më nuk do të ketë nepotizëm e korrupsion.

“Të nderuar punonjës të KEK –ut, ne s’bashku do ta bëjmë një KEK më ndryshe një KEK ku secili do ta ndiej veten me vlerë dhe i lirë, për të shpalosur pikëpamjet profesionale të tij, një KEK ku nuk do të ketë nepotizëm, një KEK ku do ta luftojmë dhe nuk do ta lejomë korrupsionin, një KEK ku do ta lirojmë nga ndikimet jashtme, një KEK ku do të mbizotëroj mirëbesimi dhe harmonia ndaj njeri tjetrit, një KEK ku do të respektohen ligjet dhe rregulloret në fuqi”, ka shkruar ndër të tjera Imeri.

Ai po ashtu ka shkruar se kompania e ka një përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve të Kosovës, ku KEK-u konsiderohet lider dhe bartës i zhvillimit ekonomik dhe bartës i stabilitetit elektroenergjetik në vend.

Bordi i përkohshëm i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka shkarkuar të premtën me 24 prill, Njazi Thaçin, drejtorin e kësaj ndërmarrjeje, i cili është edhe kushëri i presidentit Hashim Thaçi.

Po ashtu, gjatë mbledhjes të së premtes bordi i përkohshëm shkarkoi edhe Nysret Kelmendin nga pozita e zëvendësdrejtorit të KEK-ut.