KEK-u nxjerrë në shitje rreth 50 mijë tonë qymyr, në vlerë mbi 2.6 milionë euro

Korporata Energjetike e Kosovës [KEK], nëpërmjet platformës elektronike për prokurimin publik në Kosovë, ka nxjerrë në shitje rreth 50 mijë tonelata qymyr.

Ky ankand publik, është ndarë në dy lote.

Për lotin e parë, sasia është 35 mijë tonë ndërsa për lotin e dytë 15 mijë tonë.

Vlera e parashikuar për këtë ankand nga kjo ndërmarrje publike është 2,660,900 euro, dhe kriter për dhënie të kontratës, sipas KEK-ut është çmimi më i lartë.

Për më tepër, KEK-u tregon se ku gjenden blloqet për qymyr.

“Dy blloqet e planifikuar për eksplantim gjenden në pjesën veri lindore te sektorit te Sitnicës dhe kanë afërsisht sasinë 50.000 t qymyr dhe masat të djerrinës përafërsisht 12.000 – 14.000m3  në mungesë te shpimeve nuk dihet saktë kontakti djerrinë – qymyr ne bllokun e parë ku përfshihet Grebeni (pjesa jashtë profilit te hapur) dhe ku i njëjti bllok përfshin edhe një pjese te rrugës për hyrje / dalje për kasetat e TC, Kosova B.”, tregohet në dokumentet e ankandit.

Çmimi për një ton qymyr është përcaktuar 45.10 euro+TVSh [Tatimit mbi Vlerën e Shtuar].