KEK bleu energji elektrike nga kompania sllovene që s`kishte licencë

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka konstatuar se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), kishte blerë energji elektrike nga kompania sllovene ‘Holding Slovenske Elektrarne d.o.o’, e cila nuk kishte licencë të lëshuar apo të njohur në Kosovë.

Kjo është njëra ndër arsyet pse ZRRE-ja ka gjobitur KEK-un me 3.2 milionë euro.

Sipas Raportit të Monitorimit të ZRRE ndaj KEK-ut për vitin 2022, në dhjetor të vitit 2018 KEK-u kishte hapur tender për ‘parakualifikim për aktivitetin e prokurimit – shitjes së energjisë elektrike’ me ç’rast kishte nënshkruar kontrata kornizë me disa kompani ndërkombëtare.

Nga tetë kompanitë që kishte nënshkruar kontratat, vetëm njëra prej tyre nuk kishte licencë, kompania sllovene ‘Holding Slovenske Elektrarne’.

ZRRE-ja thotë se kishte reaguar disa herë përmes emailit zyrtar dhe shkresës zyrtare ndaj KEK-ut, duke kërkuar që të ndërpresë tregtimin e energjisë me kompani të pa licencuara, por sipas Raportit, KEK-u ka vazhduar ta bëjë atë.

“Pёr mё tepёr, ZRRE më datё 19.08.2022, ka monitoruar procesin e tregtimit tё energjisё elektrike nё kohё reale, dhe ka vërejtur se pavarёsisht vёrejtjeve dhe kёrkesave tё ZRRE pёr ndalimin e tregtimit tё energjisё elektrike me ndёrrmarje tё palicencuara, KEK ende kryen aktivitetin e tregtimit tё energjisё elektrike nё mos pajtueshmёri me obligimet ligjore” – thuhet në Rarport.

Në këtë Raport ZRRE-ja ka konstatuar se KEK-u duke tregtuar energji elektrike me kompani të palicencuara ka shkelur Ligjin për Energji elektrike, si dhe Ligjin për Rregullatorin e Energjisë.

“KEK-u ka kërkuar energji nga Shqipëria edhe kur nuk ka pasur nevojë”

Tutje, në Raportin e Monitorimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, thuhet se KEK-u ka kërkuar energji elektrike nga Korporate Energjetike e Shqipërisë (KESH), edhe atëherë kur nuk pasur nevojë.

Në vitin 2015 është nënshkruar Marrëveshja për shkëmbim/depozitim të energjisë elektrike në mes të KESH dhe KEK, e cila sipas Raportit është amandamentuar në 2018 dhe vlen deri në krijimin e Bursës Shqiptare të Energjisë.

Kjo marrëveshje, sipas ZRRE-së përfshin objektivat, teknikalitetet, koeficientin e depozitimit të energjisë elektrike e të tjera. Marrëveshja ndër të tjera përcakton ndihmën e ndërsjelltë në rast të situatave emergjente.

Zyra e Rregullatorit ka analizuar të dhënat e energjisë elektrike në mes të KEK-ut dhe KESH-it dhe ka gjetur se gjatë vitit 2021 KEK ka eksportuar energji elektrike në formë të shkëmbimit vetëm në muajin shkurt në vlerë prej 706MWh, ndërsa ka importuar energji elektrike në formë të shkëmbimit prej 7,035 MWh.

Ndërsa gjatë vitit 2022, për periudhën janar – qershor ka eksportuar energji elektrike në formë të shkëmbimit në vlerë prej 171,272 MWh, kurse ka importuar energji në formë të shkëmbimit në vlerë prej 69,269 MWh.

Sipas të dhënave të analizuara, ZRRE ka konstatuar se KEK-u gjatë periudhës monitoruese ka eksportuar vetëm teprica të energjisë elektrike në formë të shkëmbimit, ndërsa ka importuar energji elektrike sipas kërkesave të nevojshme nga KEK.

“KEK ka kërkuar energji nga KESH edhe atëeherë kur nuk ka pasur nevojë për FSHU dhe enërgjinë e pranuar nga KESH e ka ofruar në treg të lirë. Një veprim i tillë bie në kundërshtim me Marrëveshjen për shkëmbimin/depozitimin e energjisë elektrike me KESH” – thuhet në Raportin e ZRRE.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në mbledhjen e mbajtur të premten më 5 maj 2023, ka vendosur gjoba ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT).

Në njoftim bëhet e ditur se ZRRE – KEK-un e ka gjobitur me 3.2 milionë euro kurse KOSTT-in me 439 mijë euro.

ZRRE gjobit KEK-un me mbi 3 milionë euro e KOSTT-in me mbi 400 mijë euro