KEK-u ishte gjobitur 2 mijë euro nga Inspektoriati i Punës për shkelje në një konkurs publik

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ishte gjobitur vitin e kaluar me 2 mijë euro për shkak të shkeljeve në një konkurs publik që ishin konstatuar nga Inspektorati i Punës. 

Bëhet fjalë për konkursin për drejtor ekzekutiv të Divizionit të prodhimit të qymyrit i cili ishte shpallur më 9 mars 2022.

Inspektorati i Punës ka konstatuar se KEK-u para se të shpallte konkurs të jashtëm, është dashur që të shpallte fillimisht konkurs të brendshëm.

Vendimi i Inspektoratit të Punës bazohet në nenin 4 të Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik.

“Përjashtimisht nga paragrafi 1 i këtij neni, organi përkatës i autorizuar me Statusin apo Aktin e Brendshëm duhet fillimisht të shpallë konkurs të brendshëm, nëse ka më shumë se një kandiddat të cilët i plotësojnë kushtet e kërkuara për plotësimin e vendit të lirë të punës” – thuhet në këtë nen.

Deri të inspektimi i këtij konkursi është bërë pas një ankese të një kandidati që kishte marrë pjesë në konkurs.

 “Pas shqyrtimit të shkresave të prezantuara Inspektoriati i Punës konstaton se punëdhënësi nuk e ka hapur konkursin e brendshëm, ky veprim i punëdhënësit është në kundërshtim me Ligjin e Punës” – thuhet ndër të tjera në arsyetimin e vendimit.

Por sipas zëdhënësit të KEK-ut, Skender Bucolli, konkursi është shpallur në të njëjtën kohë ‘edhe brenda edhe jashtë’.

“… ku e kemi edhe uebfaqen e KEK-ut në internet ku kanë qasje vetëm punëtorët e KEK-ut, shpallja është publikuar 15 ditë mirëpo edhe në tabelën e shpalljeve. Shpallja publikohet për punëtorët e KEK-ut e të cilët kanë të drejtë të aplikojnë pa asnjë ndalesë” – ka thënë Bucolli.

Sipas tij, me këtë është konsumuar kërkesa për ofrimin e mundësisë së aplikimit të barabartë për kandidatët e brendshëm.

“Me ligjin e punës nuk është e cekur që duhet të hapet konkurs i jashtëm, andaj KEK-u ka publikuar shpalljen brenda dhe jashtë KEK-ut, pra është publikuar në internet si dhe në të gjitha tabelat e shpalljeve në të gjitha Divizionet e KEK-ut ku kanë qasje vetëm punëtorët e KEK-ut”.

Tutje, pasi ishte shpallur konkursi më 9 mars 2022, afati për aplikim ka qenë deri më 23 mars. Por më pas afati për aplikim ishte shtyrë deri më 4 prill 2022.

Sipas ligjit, institucioni publik duhet që brenda 15 ditëve pasi të përmbyllet afati për aplikim, të ftojë kandidatët e suksesshëm në aplikim, për procedura të mëtutjeshme të rekrutimit.

Por KEK-u kishte ftuar kandidatët për testim tek në muajin gusht të atij viti.

Në lidhje me këtë, Skender Bucolli ka thënë se arsyeja e kësaj vonese, është për shkak se njëri nga kandidatët ka bërë ankesë në Inspektoriatin e Punës.

Ndërsa në lidhje me gjobën e shqiptuar nga Inspektoriati i Punës, Bucolli për KALLXO.com ka thënë se Inspektoriati ka vepruar me standarde të dyfishta.

Sipas tij, për arsye se në inspektimin e parë nuk është shqiptuar gjobë dhe i është cekur se mund të vazhdohet puna, kurse në inspektimin e dytë është vendosur gjoba prej 2 mijë eurove.

“KEK-u ka bërë ankesë në shkallë të dytë sepse vet ky organ – Inspektoriati i Punës me inspektorin në fjalë ka lejuar komisionin të vazhdojë vlerësimin e kandidatëve për këtë shpallje. Tani jemi në pritje të vendimit të shkallës së dytë lidhur me këtë shpallje” – ka thënë Bucolli.

 KALLXO.com ka kontaktuar me Inspektoriatin e Punës për të pyetur se a e ka paguar KEK-u gjobën, por deri në publikimin e këtij shkrimi, Inspektoriati nuk ka kthyer përgjigje.